Kthimi te krimi, juristët: Burgu nuk rehabiliton plotësisht, duhet mbikëqyrje pas dënimit

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2021, 16:07 | Kronikë
Kthimi te krimi, juristët: Burgu nuk rehabiliton plotësisht, duhet

Përfshirja e Klodian Çalamanit në vrasjen e një të mituri, pasi kishte vuajtur një dënim me burg për pengmarrjen e po një të miture, ngre pikëpyetje mbi aftësitë rehabilituese të burgjeve në vend. Sipas juristëve, ky proces nuk quhet i përmbushur vetëm me vuajtjen e dënimit, pasi një pjesë e tyre bëhen përsëritës në krime.

“Recidivistët janë gangrena e një shoqërie, sepse nuk janë rehabilituar me atë kohë ndëshkimi që kanë marrë nga sistemi i drejtësisë, apo nga Gjykata”, thotë për A2 CNN avokati Saimir Visha. “Nuk mund të ketë rehabilitim në kuptimin njerëzor, ndoshta dhe procedural që ky person të quhet i rehabilituar vetëm se mbaron masën e dënimit dhe mbaron shërbimin e provës”, thotë juristi Robert Karati.

Juristët vlerësojnë nevojën e angazhimit të një zinxhiri institucionesh për mbikëqyrjen e ish-të dënuarve, krijimin e një regjistri me emrat e tyre, si edhe vënien në dijeni të komunitetit ku banojnë.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në vend vuajnë dënime me burg gati 2200 persona, ku 670 prej tyre janë të dënuar për “vrasje”.

Klodian Çalamani është autori i dyshuar i vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu, trupi i pajetë i të cilit u gjet në oborrin e banesës së 38-vjeçarit në fshatin Grecalli të Fierit. Çalamani pranoi autorësinë e vrasjes gjatë marrjes në pyetje nga Policia. Ai u dërgua në Vlorë për të vuajtur paraburgimin deri sa të jepet vendimi final nga drejtësia, për shkak se familjarët e të miturit mësynë të enjten Gjykatën e Fierit në kërkim të vrasësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos