Vrasja e biznesmenit Hoxha, vëllezërit Rrushi kërkojnë lirinë: Nuk kemi lidhje me ngjarjen

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2021, 12:55 | Kronikë
Vrasja e biznesmenit Hoxha, vëllezërit Rrushi kërkojnë

Fredi Rrushi kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit. Ai akuzohet për vrasjen e biznesmenit Rruzhdi Hoxha.

Rrushi argumenton në ankim se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe për këtë arsye kërkon që të lirohet. Ai thekson se me 43-vjeçarin kanë qenë shokë dhe nuk ka pasur asnjë arsye për të kryer krimin.

Lirim në Apel ka kërkuar edhe vëllai i tij Pajtim Rrushi duke mohuar që të ketë lidhje me këtë ngjarje.

***

Automjeti “Volkswagen Passat” i Fredi Rrushit, në bordin e të cilit hipi biznesmeni Ruzhdi Hoxha para se të ekzekutohej dhe mbulohej me gurë e zhavorr mbrapa Dajtit, nuk është gjetur ende nga hetuesit.

Për fshehjen e tij akuzohet vëllai i të akuzuarit për vrasjen, Pajtim Rrushi, i cili nuk ka pranuar të tregojë vendndodhjen me pretendimin se s’e mban mend. Por dyshimet se në mjet mund të ketë prova të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes janë shtuar për shkak të një filmimi që ndodhet tashmë në duart e grupit të hetimit.

Katër ditë pas zhdukjes së biznesmenit 43-vjeçar, mbrëmjen e 25 tetorit, një kamera sigurie ka fiksuar mjetin të parkohet para lokalit të Pajtim Rrushit. Mjeti është parkuar aty nga një person me iniciale B. K., që ka pretenduar se i ka çuar çelësat Pajtimit dhe rrëfyer atij se vëllain e kishin ndaluar.

Sipas dosjes së prokurorisë, në një hark kohor prej 20 minutash ai dhe Pajtimi shquhen të bëjnë lëvizje nga makina në lokal dhe anasjelltas. Në një prej pamjeve B. K. kërkon diçka në kabinën e mjetit me dritën e telefonit, ndërsa pak minuta më vonë ai shkon te mjeti me një qese të madhe në dorë bashkë me Pajtimin dhe pastaj largohet.

Më pas, sipas prokurorisë, Pajtim Rrushi, hap derën e mjetit, sheh rreth e qark edhe futet në të. Ndërsa është brenda në automjet, te dera e shoferit vjen një punonjës policie, i cili pasi komunikon me drejtuesin, largohet. Në orën 19:26 minuta, sipas prokurorisë, mjeti lëviz duke u larguar nga këndi i shikimit të kamerës dhe nga ai moment nuk dihet vendndodhja e tij. Hetuesit dyshojnë se në të mund të ketë prova të vlefshme, përshi gjurmë ADN-je të viktimës. Nga ana tjetër, zhdukja e mjetit ka ngritur dyshime se ekzekutimi mund të jetë kryer në mjet dhe për pasojë në të të ketë njolla gjaku, apo shenja plumbash, fakt që ka shtyrë të dyshuarit ta fshehin atë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/11/10/ekzekutimi-i-biznesmenit-vellezerit-rrushi-mohojne-akuzat-gjykata-i-kyc-ne-qeli/
https://a2news.com/2021/11/09/ekzekutimi-i-biznesmenit-avullimi-i-makines-se-ngjarjes-kamerat-fiksuan-vellane-e-rrushit/
https://a2news.com/2021/11/08/vrasja-e-biznesmenit-itinerari-minute-pas-minute-celulari-tradhtoi-fredi-rrushin/

A2 CNN Livestream

Latest Videos