
Në lagjen Muja në Shtiqen të Kukësit ka patur ndërhyrje në rrjet dhe uji është përzier me ujin vaditës. Konfirmimi u bë nga kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, sipas të cilit, një banor ka ndërhyrë në rrjet dhe me këtë rast po merret policia për hetime të mëtejshme.
“Në lagjen Muja nuk është e vërtetë që ka probleme të ujit të pijshëm, uji është përzier me ujin vaditës dhe është bërë ndërhyrje nga një banor dhe për këtë rast po merret policia për hetime të mëtejshme, na rezulton që uji i i pijshëm është brenda normave dhe analizave dhe nuk rezulton që të kemi probleme me ujin e pijshëm, ujësjellësi i Kukësit është në krye të detyrës dhe ka ndalur furnizimin, ne kemi rregulla strikte dhe analizat kryhen tri herë në ditë, deklarata e mjekut është keqinterpretuar nga rrjetet sociale dhe është shfrytëzuar për politikën ditore”.
Edhe drejtori i NjVKSH në Kukës, Hasan Halilaj tha se situata është në kontroll dhe nesër do të jepet dhe një raport i hollësishëm për këtë çështje.
“Uji është i ndalur nga ujësjellësi pasi ka patur ndërhyrje në rrjet dhe nisur nga ky fakt kuptohet që edhe uji ka patur probleme. Nesër do të japim një raport të hollësishëm për këtë çështje, pasi ka një afat 48 orë që të futen në laborator dhe të vërtetohet nëse uji është i pijshëm”.
Halilaj siguroi banorët e Kukësit se uji është i pastër bakteriologjikisht dhe u bëri apel që të mos përhapin panik.
“Lidhur me shqetësimin e banorëve të Kukësit për ujin e pijshëm me idenë që është i ndotur, themi se rezultat e analizave kanë treguar që uji është i pastër bakteriologjikisht në kushtet dhe parametrat fiziko-kimike dhe të klorit brenda normave të përcaktuar në ligj dhe qytetarët e Kukësit nuk kanë arsye për panik”. (A2 Televizion)