Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, ka vendosur që sheqeri në vendin tonë do të shitet me një çmim tavan prej 114 lekë për kilogram.
Në vendimin e publikuar këtë të hënë, bordi ka detajuar edhe skemën që ka ndjekur për vendosjen e këtij çmimi.
a. Marzhi tavan i tregtimit të shitjes me shumicë të sheqerit nga importuesi dhe ambalazhuesi është 15 lekë/kg (6 lekë/kg për importuesin dhe 9 lekë/kg për ambalazhuesin) mbi koston e importit plus detyrimet e paguara në doganë.
b. Marzhi i tregtimit të transportuesit i cili mund të jetë shitësi me shumicë, shitësi me pakicë apo palë të treta, nga magazina e shitësit me shumicë te magazina e shitësit me pakicë është 2 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas germës “a” të këtij paragrafi.
c. Marzhi i tregtimit të shitjes në njësitë e tregtimit me pakicë të produktit sheqer është 3 lekë/kg mbi çmimin e llogaritur sipas germës “a” të këtij paragrafi plus transportin sipas germës “b” të këtij paragrafi.
Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme dhe i shtrin efektet deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit. (A2 Televizion)
