
Pritej që Wolfsburg të ishte një kundërshtar shumë i fortë dhe ashtu u vërtetua. Gjermanët mundën thellë me rezultatin 0-4 ekipin e Kukësit, për t’i dhënë fund ëndrrës europiane të verilindorëve.
Wolfsburg kaloi në avantazh shumë shpejt me Weghorst në minutën e 21 të takimit, për të dyfishuar 9 minuta më vonë me Lacroix. Kukësi u mundua të krijonte rastet e tij dhe në 36-ën fitoi një 11-metërsh, por portieri i miqve i mohoi Rrocës mundësinë për të ngushtuar rezultatin.
Në pjesën e dytë miqtë shënuan dhe dy gola të tjerë me Weghorst dhe Mehmetin për t’i dhënë Kukësit të njëjtin fat si Laçit dhe Teutës, të cilët i kishin dhënë më herët fund rrugëtimit në eliminatorët e kupës së vogël të Europës.
Tashmë në lojë mbetet vetëm Tirana e cila pritet të njohë kundërshtarin e radhës për fazën e play-off. (A2 Televizion)