Kuleba në samitin e NATO, Ukraina: Duam më shumë armë dhe embargo të naftës ruse

Nga A2 CNN
7 Prill 2022, 13:02 | Bota
Kuleba në samitin e NATO, Ukraina: Duam më shumë armë dhe

Më shumë armë dhe më shumë sanksione kundër Rusisë. Me këtë thirrje do t’iu bashkohet ministrave të jashtëm të NATO-s, shefi i diplomacisë së Kievit, Dimitro Kuleba.

Ai tha se do të kërkojë nga perëndimi që të vendosë embargo ndaj naftës dhe gazit rus dhe po ashtu më shumë furnizime me avionë, sisteme të mbrojtjes raketore, raketa dhe pajisje ushtarake.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë për embargo të plotë mbi naftën dhe gazin. Agjenda ime është shumë e thjeshtë. Ka vetëm 3 kërkesa në të: armë, armë, armë. Besojmë se mënyra më e mirë për të ndihmuar Ukrainën tani, është duke e furnizuar me të gjitha mjetet e nevojshme për të mundur ushtrinë ruse në Ukrainë, në mënyrë që kjo luftë të mos përhapet përtej vendit tonë”, tha diplomati ukrainas.

Presidenti Volodymyr Zelensky mirëpriti valën e fundit të sanksioneve kundër Moskës që shenjestrojnë ndër të tjera bankën më të madhe në Rusi, Sberbank dhe dy vajzat e Putinit. Por ai i cilëson masat si të pamjaftueshme dhe i kërkon perëndimit të shkojë një hap më tej duke bojkotuar naftën ruse. Një dështim në këtë aspekt, sipas presidentit, po i kushton jetën popullit ukrainas. 

“Sot, shtetet perëndimore njoftuan një paketë të re sanksionesh kundër Federatës Ruse. Investimet e reja po bllokohen, kufizime po vendosen ndaj sistemeve bankare në Rusi. Por nuk mjafton. Ende, masat nuk krahasohen me të keqen që bota pa në Bucha, Mariupol apo qytete të tjera. Do të vazhdojmë të këmbëngulim që sistemi bankar rus të bllokohet plotësisht nga financat ndërkombëtare dhe që bota demokratike të refuzojë naftën ruse”, tha Zelensky.

Bashkimi Europian, i cili po ashtu njoftoi një paketë të re sanksionesh ndaj Moskë, po konsideron embargo të qymyrit nga ky shtet. Por kryeministri italian Mario Draghi tha të mërkurën se ndalimi i importeve të gazit nga Rusia nuk po konsiderohet në nivel të BE-së. Megjithatë, shtoi se nëse arrihet një konsensus për këtë çështje, Italia do të pajtohet me të. Sipas Draghit, nëse flukset e gazit nga Moska do të pezulloheshin, Italia kishte ende rezerva për të mbuluar nevojat e saj deri në fund të tetorit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos