Kulla pas 15-katëshit, investitori mohon akuzat: Asnjë centimetër pa leje

Nga A2 CNN
30 Shtator 2022, 17:24 | Aktualitet
Kulla pas 15-katëshit, investitori mohon akuzat: Asnjë centimetër

Sulm ndaj kullave dhe ndërtimeve pa leje, por jo gjueti shtrigash, pasi jo të gjitha kullat kanë shkelur ligjin. Investitori “Geci SHPK”, që po ndërton godinën 33-katëshe pas Hotel Tirana, mohon akuzat e ngritura nga deputeti demokrat Ervin Salianji, se në të janë ndërtuar kate pa leje.

Në një reagim zyrtar për mediat dhe opinionin publik, “Geci sh.p.k”, thekson se është zotëruese e lejes së ndërtimit të dhënë në 18 Mars 2019, për 33 kate me destinacione hotel me 5 yje për brandin ndërkombëtar “Intercontinental”.

“Nga Autoritetet kompetente në mbikqyrjen e Territorit si IKMT dhe IMT Tiranë, janë bërë kontrolle, verifikime dhe Inspektime në të gjitha fazat e lejes sipas legjislacionit në fuqi. Nga aktet e konstatimit është vërtetuar se: Shoqëria “Geci sh.p.k”, nuk ka ndërtuar as një centimetër pa leje, aq më pak kate pa leje”.

Kompania shprehet e gatshme t’i nënshtrohet verifikimit nga mediat, shoqëria civile dhe vetë deputeti Salianji. Por sërish, shoqëria do t’i drejtohet me një padi drejtësisë për shpifje dhe dëmtim të imazhit.

Sipas reagimit zyrtar, që prej aksionit të qeverisë në fushën e ndërtimeve pa leje, ka një fushatë gjobëvënieje dhe shantazhi ndaj biznesit. Mbi të gjitha, këto sulme dëmtojnë imazhin e kompanive shqiptare në sytë e partnerëve të huaj.

Reagimi i plotë

Sqarim për opinionin publik

Shoqëria “Geci Sh.p.k”, si Investitor në Ndërtimin e “Hotel InterContinental Tirana”,  dëshiron të sqarojë opinionin publik, mbi deklaratën papërgjegjshme dhe abuzive të Deputetit të PD-së  Ervin Salianji  dt,29.09.2022,  transmetuar në të gjitha mediat publike në vend, ku deklaron në mënyrë krejtësisht Abuzive se: Në Godinën prej 33 katesh Mbrapa “Tirana International Hotel & Conference Center”  janë ndërtuar kate pa leje!

Ju bëjmë me dije se Shoqëria “Geci sh.p.k”, në cilësinë e Investitorit të Hotelit InterContinental Tirana, është zotëruese e lejes së Ndërtimit me Nr. A-29978/7 datë 18.03.2019, cila ka të miratuar Godinë me 33 Kate me destinacion Hotel me 5 yje Luxury, tashmë me Brandin ‘InterContinental’.

Nga autoritetet kompetente në mbikëqyrjen e Territorit si IKMT dhe IMT Tiranë, janë bërë kontrolle, verifikime dhe Inspektime në të gjitha fazat e lejes sipas legjislacionit në fuqi. Nga aktet e konstatimit është vërtetuar se: Shoqëria “Geci sh.p.k”, nuk ka ndërtuar as një centimetër pa leje, aq më pak kate pa leje.

Gjithashtu Shoqëria “Geci sh.p.k” është e hapur dhe fton Deputetin Salianji si dhe të gjithë të interesuarit, përfaqësues të shoqërisë civile, mediave apo kujtdo të interesuari, që të vijnë dhe të bëjnë numërimin e kateve në Godinë dhe verifikimin e gjithë dokumentacionit të poseduar nga ana Jonë.

Për sa më sipër Shoqëria “Geci sh.p.k”, deklaron se do ti drejtohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, për Veprën penale të Shpifjes, Dëmtim të Imazhit, ndaj Deputetit të PD-së Ervin Salianji për deklaratat e dhëna në drejtim të kompanisë Tonë.

I kërkojmë Autoriteteve kompetente si Dhomës së Tregtisë Tiranë, Mediave Audiovizive dhe të shkruara, Institucioneve Shtetërore që mbulojnë fushën e biznesit, që të sensibilizojnë opinionin publik për këto sulme me karakteter “Gjobvënie” ndaj biznesit, të ushtruara nga Deputetë apo Funksionarë Politikë të cilët krijojnë ndjesinë e Dhunimit, Shantazhit, Grabitjes si dhe Përçmimit të biznesit të ndershëm dhe taksapaguesve të këtij vëndi!

Deklarata abuzive të kësaj natyre dëmtojnë në formë të drejtpërdrejtë imazhin dhe partneritetin e Shoqërive Shqiptare në raport me Shoqërive Partnere Ndërkombëtare.

Për sa më sipër, deklarata për shtyp e Deputetit të PD-së, nuk është gjë tjetër veçse një disinformim i përsëritur i publikut dhe krijimi i perceptimit të gabuar të tij, duke cenuar publikisht në media emrin dhe imazhin e Shoqërisë “Geci sh.p.k”.

Shoqëria “Geci Sh.p.k” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos