Kupa e Italisë, Inter dhe Juventus për një biletë në finale

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 12:44 | Futboll
Kupa e Italisë, Inter dhe Juventus për një biletë në

Inter dhe Juventus përballen sot në mbrëmje, në derbin e Italisë që do të përcaktojë dhe finalistin e parë të Kupës së Italisë.

Ndeshja e parë në Torino përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1 dhe çdo gjë vendoset sot në San Siro. Përballja në “Allianz Stadium” shkaktoi jo pak polemika dhe tensione mes lojtarëve, çfarë solli dhe përjashtimin e Handanovic, që do të mungojë për teknikun Inzaghi, ndërsa tek “Zonja e Vjetër” bëjnë llogaritë pa Cuadradon, që sërish u përjashtua nga tensioni në fund të ndeshjes.

Lajmi i mirë për Interin është rikthimi i Romelu Lukakut, i cili ishte pezulluar me ndeshjen e parë, por Federata Italiane e Futbollit vendosi të falë sulmuesin dhe belgu do të jetë në dispozicion të skuadrës.

Dy ekipe me rivalitet dhe me histori do të bëjnë çmos për të marrë një biletë për në finale dhe ta mbyllin këtë sezon me të paktën një trofe.

Nëse do t’i referohemi statistikave, bardhezinjtë janë favoritë pasi në 35 ndeshje që dy ekipet kanë luajtur në Kupën e Italisë, Juventus numëron 15 fitore, ndërsa Inter 11, ndërkohë 9 takime janë mbyllur në barazim. Megjithatë, zikaltërit kërkojnë spektaklin e një viti më parë, kur Inter i dha leksion Juventusit në finalen e Kupës, teksa e mundi atë 4-2 dhe bëri të vetin trofeun. Pavarësisht kësaj, sa herë flasim për një derbi, ka një tjetër histori në fushë.

Ndeshja Inter-Juventus do të luhet sot, duke nisur prej orës 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos