Ndeshja e sezonit, Manchester City pret Arsenalin në një finale për titullin

Nga A2 CNN
26 Prill 2023, 11:15 | Futboll
Ndeshja e sezonit, Manchester City pret Arsenalin në një finale

Një ndeshje direkte që mund të vendosë shumë për titullin kampion. Manchester City dhe Arsenal do të përballen sot në mbrëmje në një sfidë që premton emocione dhe spektakël.  

“Topçinjtë” udhëheqin klasifikimin me 5 pikë më shumë se “Qytetarët”, megjithatë llogaritë për titullin në Premier League janë akoma të hapura, pasi përveç kësaj ndeshjeje direkte, skuadra e Pep Guardiolës ka dhe dy ndeshje më shumë për të luajtur. Edhe pse City i ka fituar të dyja ndeshjet kundër Arsenalit këtë sezon, një në Kupën FA dhe një në kampionat, Guardiola do të mbajë skuadrën me këmbë në tokë dhe kërkon përqëndrim maksimal.

“Është vërtet e rëndësishme, por jo, nuk mund ta quaj ndeshje vendimtare sepse kanë mbetur shumë ndeshje të vështira për të dyja skuadrat. Por, nuk mund të them se çdo gjë përfundon me këtë ndeshje. Ne kemi luajtur dy herë këtë sezon dhe kanë qenë ndeshje vërtet të vështira, pavarësisht se në fund kemi qenë ne fitues. Kërkoj nga skuadra vetëm përqendrim dhe mund t’ia dalim”.

Nga ana tjetër, as për trajnerin Arteta kjo ndeshje nuk do të vulosë titullin, pasi rruga drejt trofeut është akoma shumë e gjatë: “Besojmë 100%. E dija që në fillim se do të luftojmë me Manchester City dhe nëse duam të fitojmë titullin, duhet ta mundim. Edhe nëse fitojmë, nuk jemi kampionë sepse ka ende ndeshje. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por është një mundësi shumë e mirë për ne që duhet ta shfrytëzojmë. Mungesat? Xhaka është në dyshim për shkak të një viroze. Shpresojmë që të jetë i gatshëm, edhe pse në seancën e fundit stërvitore, ai ka munguar”.

Ndeshja do të luhet sot në mbrëmje, në orën 21:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos