Kupa e Shqipërisë, Skuka dërgon Partizanin në gjysmëfinale. Edhe Laçi e Vllaznia kalojnë më tej

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2022, 20:46 | Futboll
Kupa e Shqipërisë, Skuka dërgon Partizanin në

Partizani mposhti 1-0 Dinamon me një supergol të Xhuliano Skukës dhe u kualifikua në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Pasi kishte barazuar 1-1 në sfidën e parë, Partizani fitoi të dytën për t’iu bashkuar Teutës, Vllaznisë dhe Laçit, skuadrave të tjera të kualifikuara në gjysmëfinale.

Sukses me vuajtje për dy ekipet pretendente, pavarësisht se në letër sfidat cilësoheshin të lehta.

Pas rezultatit 1-1 në Rrogozhinë, kurbinasit arritën të mposhtnin Egnatian vetëm pas ekzekutimit të 11-metërshave. Koha e rregullt dhe shtesa përfunduan në barazim pa gola, me ruletën e penalltive që favorizoi Laçin.

Bardhezinjtë gabuan dy herë nga pika e bardhë, por përfituan nga tre penalltitë e parealizuara të Egnatias dhe në fund Ardit Deliu vulosi suksesin 3-0 me penallti.

Aspak e lehtë edhe fitorja e Vllaznisë përballë Flamurtarit. Megjithë suksesin 2-1 në ndeshjen e parë në Vlorë, kuqeblutë vuajtën më tepër nga sa duhej.

Madje, Flamurtari rrezikoi të rikthehej në garë, por goli i Indio Oliveiras në fundin e pjesës së parë, u anulua nga VAR mes protestave të miqve.

Për të qetësuar Vllazninë mendoi Mustedanagiç, në minutën e 70. Me kokë brenda zonës sulmuesi shënoi golin e triumfit, rrjeta e tij e gjashtë në këtë edicion. Shkodranët vazhdojnë më tej dhe do të synojnë të përsërisin suksesin e sezonit të kaluar në Kupë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos