
Një projekt i cili “de facto” fshin kufijtë formalë që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pas Kupës Pavarësia, që zhvillohet me skuadrat e trojeve shqiptare me rastin e festës së Pavarësisë, tashmë ka marrë jetë një tjetër turne, i cili mund të shërbejë edhe si pikënisja për bashkimin e Shqipërisë me Kosovës në një ligë të vetme.
Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, pohoi se pranë UEFA-s është dorëzuar një projekt me emrin Kupa “Nënë Tereza”, në të cilin, përveç institucioneve sportive, do të përfshihen edhe qeveritë.
Turneu është parashikuar të zhvillohet gjatë gjithë vitit, në periudhën kur skuadrat nuk janë të angazhuara në kampionat dhe objektivi është që fituesi të ketë mundësinë të luajë në kupat e Europës, për një vend ekstra përveç skuadrave të kualifikuara nga kampionati apo nga Kupa e Republikës.
Presidenti Ademi theksoi se aktorët e angazhuar në krijimin e turneut të ri mbarëkombëtar, por që synon të njihet edhe ndërkombëtarisht, janë ende në pritje të përgjigjes nga UEFA.
Objektivi është që kupa “Nënë Tereza” të nisë prej vitit të ardhshëm. (A2 Televizion)