
Nëse për qytetarët problemi i mbeturinave përfundon me hedhjen e qeseve në kosh, ose pranë tij, për punonjësit e pastrimit të qytetit, aty nis puna. Në kohën kur qyteti "fle", brigada e Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale në Bashkinë e Durrësit merr detyrën, me misionin kryesor që mëngjesi ta gjejë qytetin të pastër.
Prej 22 vitesh, Zana i shërben qytetit ditë dhe natë, pa hezituar për orarin apo vendin që i është caktuar të pastrojë. Me këtë profesion ka rritur tre fëmijë. Dhe atë që ndjen tani përfshi edhe situatën e pandemisë e tregon për mikrofonin e A2.
Bashkia e Durrësit numëron rreth 350 mijë banorë dhe çdo ditë në terren për t’u kujdesur për pastrimin e territorit, numërohen 420 punonjës. Krahas luftës së përditshme me tonelata mbetje të gjeneruara, këtij sektori iu shtuan masat e dezinfektimit të çdo hapësire publike dhe godinave të banimit, gjë që ka sjellë dhe vështirësi në menaxhimin e situatës.
Ashtu si mjekët, të cilët janë cilësuar heronj në mbrojtjen e jetëve në këtë periudhë, edhe këta punonjës janë heronj në atë që bëjnë, 24 orë në ditë në çdo cep të Bashkisë së Durrësit. Edhe pse puna e tyre mund të mos kënaqë çdo njeri, fakti është që pa punën e tyre Durrësi nuk do të ishte ky që është me të mirat dhe të këqijat e tij, dhe këtë fakt e kuptojnë edhe vetë punonjësit, të cilët nuk ngurojnë të shprehen krenarë për atë që bëjnë. (A2 Televizion)