
Rrallë mund të gjesh një 5-vjeçare kaq të duruar, ku mjekët dhe infermierët nuk janë makthi i saj. Nuk e shqetëson vigoni në dorë dhe as të shohë teksa merr gjak. Ky proces është pjesë e jetës së saj, që kur u diagnostikua pas lindjes me talasemi.
E braktisur nga babi për shkak të sëmundjes, ajo vjen nga Klosi bashkë me nënën për një qese gjak. Ka orë që pret të marrë sasinë e duhur, jetike për shëndetin, por gjaku ende nuk ka mbërritur. Në këtë periudhë epidemie, nëna e saj tregon se kanë ardhur çdo javë në Tiranë, pasi nuk ka pasur gjak.
Mjekët thonë se banka është në krizë, ndërsa spitalet janë në vështirësi për transfuzionet. Për fat të mirë, nga personat me talasemi nuk ka të prekur me koronavirus. Për Ermelën, që çdo 20 ditë i nevojiten 2 qese gjak, kjo është periudha më e vështirë. Për të mbajtur në kontroll hemoglobinën, janë detyruar familjarët e saj të dhurojnë më shpesh nga sa lejohet.
Në Ditën Botërore të Talasemisë dhe në këtë periudhë pandemie, mjekët bëjnë apel rritjen e dhurimeve të gjakut.
Pas orësh të tëra pritje, 5-vjeçares nga Klosi iu sigurua një qese gjak, ndërsa për javët më vonë do të varet nga dhurimet. Në Shqipëri, 200 pacientë, gjysma fëmijë, kryejnë transfuzione gjaku për të mbajtur në nivel hemoglobinën dhe rruazat e kuqe. E njohur ndryshe si anemia mesdhetare, ajo është një sëmundje e trashëgueshme nga dy prindër mbartës. (A2 Televizion)