
Rezultatet paraprake të një testimi klinik sugjerojnë se një trajtim i ri kundër Covid-19 redukton ndjeshëm numrin e pacientëve që kanë nevojë për përkujdesje intensive.
Synairgen, kompania britanike që e ka zhvilluar atë, thekson se në trajtim përdor një proteinë të quajtur interferon beta, të cilën trupi e prodhon kur preket nga një infeksion viral. Proteina futet direkt në mushkëritë e pacientit me koronavirus, duke përdorur një pajisje të veçantë të quajtur “nebuliser”, me shpresën që të stimulojë një reagim të sistemit imunitar.
Zbulimet fillestare sugjerojnë se trajtimi ul shanset me 79% që një pacient me Covid-19 në spital të preket rëndë dhe të ketë nevojë për respirator. Të infektuarit u shëruan dy ose tre herë më shpejt, pretendon Synairgen.
Gjithashtu, thuhet se gjatë testimit klinik është vënë re një reduktim i problemeve në frymëmarrje mes pacientëve që kishin marrë trajtimin. Ndër të tjera, kompania britanike nënvizon se dhe koha e shtrimit në spital, për ata që morën ilaçin e ri, u shkurtua me një të tretën, thënë ndryshe nga një mesatare prej 9 ditësh në vetëm 6 ditë.
Në këtë testim janë përfshirë 101 vullnetarë në 9 spitale të ndryshme britanike. (A2 Televizion)