Kursejmë energji, që ta kemi!

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 17:26 | Aktualitet
Kursejmë energji, që ta kemi!

Për të ndërgjegjësuar qytetarët për kursimin e energjisë në vend, në një kohë krize si kjo, me të cilën po përballet i gjithë rajoni dhe Europa, ka nisur një fushatë edukimi, këshillimi e sensibilizimi: “Kursejmë energji, që ta kemi!

Mesazhet që përcillen janë të qarta: Energjia nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se sot. Çdo veprim i yni në kursimin e energjisë, sjell ndikim të madh, siguron më shumë energji elektrike për  ditët e muajt në vazhdim. Të gjithë bashkë, mund ta ruajmë energjinë! Duhet ta bëjmë jo vetëm për veten, për ekonominë e shtëpisë por dhe për të mirën e Shqipërisë! Çdo vat që kursehet vlen, sidomos në faturën tonë elektrike, ku çmimin e lartë të energjisë së importuar në treg, për familjet dhe bizneset e vogla shqiptare do ta mbulojë qeveria.

Ndërsa në Gjermani çmimi që duhet të paguajnë familjarët është rritur me 19 %, në Itali me 83%, në Spanjë me 126% apo edhe në Greqi me 112% më shumë, në Shqipëri, për të gjithë konsumatorët që do të respektojnë masën e kursimit, fashën e 800 kilovat/orë shpenzim në muaj, çmimi nuk do të rritet. Për ta, në çdo rast, me një ambicie e kurajo të madhe, këto kosto do t’i mbulojë shteti, edhe pse çmimet e energjisë që blihen sot në treg janë 10-fish më të shtrenjta krahasuar me vitet e mëparshme.

Por edhe qytetarët duhet të kryejnë misionin e tyre: të ulin ndjeshëm konsumin e energjisë në shtëpitë e punët e tyre. Të mos e kalojnë fashën e 800 kilovat/orë shpenzim në muaj, të vendosur si masë kursimi. Nëse e kalojnë, do të duhet të paguajnë më shumë, të paktën për periudhën tetor- dhjetor, pas së cilës situata energjetike do të analizohet sërish.

Deri atëherë, duhet ta kursejmë energjinë, që ta kemi! Çdo ditë, me veprime të vogla, por që sjellin ndikim të madh! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos