“Kursi i euros mund të shkojë 100 lekë”, Zekja: Nëse vazhdohet kështu, eksportuesit shkojnë drejt falimentit

Nga A2 CNN
12 Prill 2023, 22:00 | Ekonomi
“Kursi i euros mund të shkojë 100 lekë”, Zekja:

Euro po pëson një rënie të pazakontë në tregun tonë të këmbimit. Këtë javë monedha europiane preku minimumin historik prej 112.8 lekëve, duke sinjalizuar se edhe periudha në vijim, do të jetë e vështirë për euron. Kjo me flukset valutore të shtuara kryesisht nga burimet informale, por ndoshta edhe nga shpenzimet për fushatën e zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Florian Zekja, anëtar i Pro Export Albania, komentoi në A2 Business rënien e fortë të euros dhe ndikimin që ajo ka në industrinë fasone.

“Biznesi shqiptar po përballet me sfida shumë të mëdha, si lufta për tregjet, problemet e energjisë, por të gjitha këto kanë dalë në plan të dytë për shkak të rënies së euros, pasi ne nuk e dimë si do të jetë e ardhmja. Ne nuk e dinë se me çfarë kursi do të bëjnë çmimet. Ne duhet të rrisim pagat, kostot shtohen dita-ditës.

Ne kemi ngritur alarmin që të marrim masa, pasi nëse vazhdojmë kështu me nisjen e sezonit turistik, ne do të jemi në kolaps total. Kemi gjithmonë më pak lekë në duar dhe e kemi jetën e pasigurt për menaxhimin e biznesit.

Ka zëra që thonë se euro mund të shkojë deri në 100 lekë. Ne nuk duam ta mendojmë dhe ta përllogaritim çmimet me një kurs të tillë. Kohët e fundit, kemi bërë edhe disa takime me shoqata të tjera eksportuese dhe kemi diskutuar për zgjidhjet. Zgjedhjet mund të vijnë me një ndërveprim me Bankën e Shqipërisë, me guvernatorin, me qeverinë, qoftë edhe me Bankën Botërore apo FMN-në. Ky është një fenomen vetëm shqiptar. Në vende të tjera ku janë klientët tanë, kursi është stabilizuar dhe ne nuk mund t’i kërkojmë klientëve tanë një rritje çmimi me 10-15 përqind.

Ne nuk mund të mendojmë një skenar B. Skenari B për ne është ai i falimentit. Nëse ne, përtej rritjes së kostove, të përballemi dhe me ndryshimin drastik të kursit, flitet vetëm për mbijetesë”, tha Zekja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos