
Kryefjala e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor mbetet dialogu Kosovë-Serbi, i cili nuk po avancon me marrëveshjet që firmosen e nuk zbatohen.
Dhe teksa situata në veriun e Kosovës është rindezur, Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandër Vuçic do të udhëtojnë drejt Sllovakisë, në forumin ndërkombëtar të Bratislavës.
Por pavarësisht vendit të njëjtë të diskutimit me fokus rajonin tonë, Kurti dhe Vuçiç nuk do të jenë në të njëjtën tryezë dhe as nuk do të mbajnë fjalën e tyre në të njëjtën ditë.
Kryeministri i Kosovës do të flasë për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së në një panel me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Lajçak.
Ndërsa një ditë më pas Presidenti serb diskuton për rrugët e hapura të rajonit për tregtinë me dyshen e Ballkanit të Hapur, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.
Në Bratislavë pritet të diskutohet edhe gjendja në veriun e Kosovës, situatë për të cilën kryeministri i Shqipërisë kritikoi veprimet e Albin Kurtit, duke i bërë thirrje të dëgjojë aleatët. Publikisht, Rama nuk ka pasur adresim edhe ndaj Vuçiç, i cili kaloi ushtrinë në gatishmëri. (A2 Televizion)