Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel, burime të BE-së: Pritet të pranojnë propozimin pa diskutime

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2023, 10:28 | Kosova
Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel, burime të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen sot në Bruksel, në takimin e tyre të gjashtë dhe sipas BE-së, edhe më të rëndësishmin. Këtë herë nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por një dinamikë të re të raporteve, me palët që pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së si një bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Para se të ulën në një tryezë, Kurti dhe Vuçiç do të zhvillojnë bisedime të ndara me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josef Borrell dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun Miroslav Lajçak.

Burime të BE-së kanë thënë në prag të takimit se presin që Kurti dhe Vuçiç të pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme, duke i hapur më pas rrugën procesit të normalizimit të raporteve, që duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të një plani 10 pikësh, një version përfundimtar të së cilit, Kosova dhe Serbia e morën gjatë muajit dhjetor. 

Nëse do të ketë kërkesë për ndryshimin e tekstit, atëherë gjithçka duhet të nisë nga fillimi dhe mundësitë për sukses janë të vogla.  Për Vuçiç, konsiderohet problem fakti që me marrëveshjen, sipas interpretimeve të BE-së, Serbia de facto e njeh Kosovën. 

Sakaq, për kryeministrin Kurti, sfida më e madhe peshon te krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Plani franko-gjerman, siç është quajtur, parashikon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën përfshirë atë për asociacionin. Lajçak tha më herët se në raundin e ri të bisedimeve do të diskutohet për afatet e zbatimit të planit dhe përgjegjësitë që ka secila palë, me Bashkimin Europian që do të monitorojë përmbushjen e detyrimeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos