
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive shqiptare, e cila do të mbahet të mërkurën në Gjakovë. Ai zbuloi se në këtë mbledhje do të nënshkruhen 13 marrëveshje.
“41 marrëveshje të më hershme, prej të cilave 39 të zbatuara plotësisht e dy të tjera në fazën finale të zbatimit, do t’i shtohen edhe 13 të reja në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, sipërmarrjes e mbrojtjes dhe një deklaratë e përbashkët për forcimin në fushën e sigurisë”, tha Kurti në konferencë për mediat.
“Në rend të ditës do të jetë edhe diskutimi lidhur me bashkëpunimin për realizimin e një qëllimi të hershëm, atë të bashkimit doganor”.
Kurti shtoi se në këtë takim do të jenë të pranishëm dhe kryebashkiakët e zonave kufitare, të cilët do të diskutojnë për sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësitë në përfitim për qytetarët.
Sipas tij, lëvizjes së qytetarëve në zonat ndërkufitare i kanë dhënë rëndësi të duhur dhe është rritur në 26 numri i vendkalimeve të veçanta kufitare.
“Nga prilli i këtij viti mbi 200 mijë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 kilometra nga kufiri tokësor, kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare për arsye sociale, kulturore, familjarë e shëndetësore”, tha ai. (A2 Televizion)