Kurti: Me Serbinë flas veç për ujdinë finale. Haradinaj: Duhet samit në SHBA

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 15:17 | Kosova
Kurti: Me Serbinë flas veç për ujdinë finale. Haradinaj:

Në interpelancën e thirrur nga opozita, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, adresoi shqetësimet për veriun e vendit dhe dialogun me Serbinë. Kërkesa kryesore e tij ishte të mos përhapen informacione jo të sakta, pasi policia është prezente dhe patrullon në veri, ndërsa konfirmoi se situata nuk është dhe nuk ka qenë kurrë normale atje. Për serbët e larguar nga institucionet dhe kryesisht policia, tha se duhet të zëvendësohen me njerëz që nuk urdhërohen nga Serbia.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune”, tha Kurti.

Më tej, shtoi se për herë të parë, Kosova ka një qeveri që nuk varet nga Lista Serbe. Kurti adresoi dhe tensionet me Bashkimin Europian për çështjen e targave, duke nënvizuar se u kishte thënë ndërmjetësuesve në Bruksel se kishte shkuar si kryeministër për ujdinë finale me Serbinë, dhe jo si polic apo doganier i Kosovës.

“Kemi bërë pezullim të veprimeve për t’i dhënë hapësirë marrëveshjes sipas propozimit evropian apo franko-gjerman, të cilën qysh në fillim e kemi quajtur bazë të mirë për diskutim, sepse është e bazuar mbi vlera jo përbrenda asaj ideologjie së zgjidhjes unike të problemeve të veçanta me pafund hollësi që e bën secilin ta humbi interesim për të mandej. Tani i takon sponsoruesve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrijë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve”, shtoi ai.

Opozita rreshtoi një sërë kritikash dhe akuzash për menaxhimin e situatave të krijuara si në Bruksel ashtu edhe në veri të Kosovës. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti një rezolutë për dialogun me Serbinë, me disa pika. “Kërkohet një samit në ShBA deri në përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë”, u shpreh Ramush Haradinaj. Megjithatë rezoluta e AAK, parti e cila thirri dhe interpelancën, nuk kaloi në kuvend pasi shumica e kundërshtoi. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/30/debate-mes-qeverise-dhe-opozites-ne-kosove-kryenegociatori-se-shpejti-takim-kurti-vucic/
https://a2news.com/2022/11/29/propozimi-franko-gjerman-per-kosoven-po-pranohet/

A2 CNN Livestream

Latest Videos