Kurti shkon në Veri, analistët: Mesazh për ndërkombëtarët që nuk e tërheq policinë

Nga A2 CNN
28 Qershor 2023, 20:31 | Kosova
Kurti shkon në Veri, analistët: Mesazh për

Kryeministri nuk ka ndërmend t’i tërheq forcat speciale nga Veriu!”.

Ky ishte mesazhi që sipas ish-ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama, dha sot Albin Kurti me vizitën në Mitrovicën e Veriut, ku shpërndau bakllava për zyrtarë policorë të stacionuar aty për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

Ka gjetur momentin për të dhënë një mesazh politik që tregon se Kryeministri nuk ka ndërmend të marrë parasysh kërkesat e BE-SHBA për deeskalim të situatës. Një nga kërkesat që është që policët në Veri të largohen nga godinat komunale së bashku me kryekomunarët. Ndaj vizita e sotme, e përzier pak me festën e Bajramit e ka shfrytëzuar për arsye politike”, u shpreh Lama.

Qëndrimin e ish-ambasadores në “Debat” në A2CNN e mbështetën edhe anëtari i Kryesisë së PDK, Adri Nurellari dhe editori i ‘Telegraf-it’ Muhamed Hajrullahu.

Vizita e Kurtit në Mitrovicën e Veriut erdhi në ditën kur serbët kremtuan një festë që lidhet me Kishën Ortodokse dhe sipas Nurellarit, ky ishte një demonstrim kryeneçësie nga Kurti përkundrejt Beogradit dhe partnerëve të Kosovës.

Kryeministri ndërmori një veprim populist në Veri që duket si mesazh që kokëfortësie dhe këmbëngulje që i jepet opinionit ndërkombëtar. Gjë që lë një shije të hidhur. Kjo ndryshe nga Serbia që i lëshoi policët si dëshmi e mirë për ndërkombëtaret. Kurti duhet të bëjë akte të vullnetit të mirë që shmangin përshkallëzimin. Ky takim mund të konsiderohet si karshillëk ndaj ndërkombëtarëve si demonstrim force, por edhe ndaj serbëve që kanë festë të rëndësishme të mitit të tyre që e lidhin me Kosovën. Kjo shkon ndesh me atë që presin partnerët nga Kosova që të kontribuojë në uljen e tensionit”, tha Nurellari.

Analisti shkoi edhe më tej duke thënë se Kurti imitoi stilin serb të të bërit politik dhe kultivimit të nacionalizmit në ditën e festave, pasi shpërndau bakllava me rastin e festës së Bajramit.

Ky imitim i serbëve duke përzier festat fetare me zhvillimet politike është shqetësues në vetvete, që në Shqipëri nuk e bëjnë. Një patriotizëm turbo-folk i traditës serbe që është akt i shëmtuar në vetvete dhe nuk ishte i nevojshëm. Sot është ditë feste dhe për një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare por ndryshe nga Serbia ne kemi traditë laike dhe që nuk identifikohet me fe të caktuara. Sot është një ditë ku u bënë deklarata të ashpra ndaj Kosovës dhe situatë që kërkon ndërgjegjësim dhe jo këtë sjellje karshillëku”, theksoi ai.

Ndërkohë, Hajrullahu duke nënvizuar se vizita e kryeministrit vjen pas  tre ditëve ku ai ka qenë në takime jashtë vendit, u shpreh se vjen për të konfirmuar besimin ndaj policëve në Veri.

Ka dy mesazhe. Kurti gjatë dy-tre ditëve të fundit ishte në vizita jashtë Kosovës, ndaj kjo vizitë ka të bëjë me atë që ka ndodhur gjatë dy tre ditëve të fundit. Kishte një manifestim në Graçanicë. Kjo vizitë me bakllava ka një mesazh për të uruar por edhe mesazhin që ka të bëjë me sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Kjo tregon se Kurti dhe qeveria e tij i qëndrojnë pikave të veta për mos largimin e forcave special nga Veriu. Më shumë është simbolike”, tha Hajrullahu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos