
Kush e do më shumë Kushtetutën? Nuk është një titull loje, por mbetet të paktën sfida 1-vjeçare me disa nivele që po kryejnë ndaj njëri-tjetrit Presidenti dhe Kryeministri, mbi dokumentin themelor të shtetit prej ku buron drejtësia.
Niveli i momentit është beteja për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.
“Është një tjetër rast kur ne jemi në anën e duhur të historisë ndërsa Ilir Meta fatkeqësisht është edhe një herë tjetër në anën e gabuar të historisë”, ka thënë Rama.
“Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë Presidenti i shtetit të së drejtës”, ka thënë Meta.
Së fundmi, kryeministri, por që nga shtatori Presidenti, kanë shpallur nëntorin si muajin e veprimit të tyre në emër të drejtësisë. Kryeministri tha se më 25 nëntor vjen ligji special kundër atyre që kanë vënë pasuri kriminale në emër të sloganit “Kap ça t’kapësh”, para se Reforma në Drejtësi të veprojë ndaj tyre. “Çka më shqetëson është dhënia e një shtyse të re përfundimi me sukse si mandatit, shtysë që nis me ligjin special kundër gjithë atyre që janë shpërndarë në territore të caktuara dhe kujtojnë se llogaritë i kanë mbyllur, por janë të hutuar dhe tani është koha për të bërë llogaritë, llogaritë e çdo pasurie vënë në mënyrë kriminale”.
Ndërsa Ilir Meta ka shpallur veten si flamurtarin e mbrojtjes së Kushtetutës nga vetë qeverisja e kryeministrit Edi Rama. Për simbolikë ka zgjedhur 22 nëntorin si dita kur ligji themeltar i shtetit në vitin 1998 mori fuqi pas referendumit popullor: “Unë, më 22 nëntor do të bëj publike nismën time në mbrojtje të Kushtetutës në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë. Do të jetë nismë mjaft e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar në mënyrë që të mos lejojmë në këtë vend shkeljen sistematike të të drejtave të qytetarëve tanë”.
Nuk dihet a do të jenë në funksion të kësaj nisme, takimet që Presidenti i Republikës ka planifikuar javën që vjen, jo vetëm me opozitën e kryesuar nga jashtë Parlamentit, por dhe me organizatat joqeveritare që merren me Reformën në Drejtësi, mes tyre edhe fondacioni “Soros”. (A2 Televizion)