Kush është Volodymyr Zelenskiy? Presidenti që zbaton në realitet skenarin e një seriali

Nga A2 CNN
22 Prill 2019, 14:08 | Bota

Volodymyr Zelenskiy ka qenë dhe më përpara president i Ukrainës, të paktën në një serial televiziv. Tek “sit-com” “Shërbëtori i popullit”, që gjendet edhe në platformën Netflix, aktori komik interpretoi për 3 sezone një profesor të ndrojtur historie, i cili u zgjodh në mënyrë aksidentale president, pasi sharjet e tij ndaj korrupsionit të qeverisë filmohen dhe shndërrohen virale në rrjetet sociale.

Ky është një skenar që Zelenskiy duket se e zbatoi edhe në realitet. Madje partia e tij, e krijuar pas shpalljes së kandidaturës në dhjetor, mban të njëjtin emër me serialin televiziv.

Fytyrë e re për politikën, Zelenskiy zhvilloi një fushatë elektorale atipike: ai nuk mbajti asnjë tubim, por vetëm spektakle bashkë me studion teatrale “Kvartal 95”, dhe video live në rrjete sociale.

Volodymyr Zelenskiy

Ai nuk prezantoi asnjë program politik konkret, por u fokusua më shumë tek diferencimi i vetes nga kandidatët e tjerë. Pas shumë ftesave të vazhdueshme të Petro Poroshenkos, presidentit në largim, pranoi të merrte pjesë në një debat dy ditë përpara zgjedhjeve.

Kundërshtarët e akuzojnë se nuk ka eksperiencë për të drejtuar vendin dhe as një program konkret. Zelenskiy akuzohet edhe për lidhje të ngushta me oligarkun në mërgim, Ihor Kolomojskij, pronarin e televizionit 1+1 ku transmetohet seriali i tij.

Në bindjet e tij politike, presidenti i zgjedhur dëshiron që Ukraina të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por kërkon që për këtë të vendosë populli me anë të referendumit. Zelenskiy ka lindur në vitin 1978 me prindër hebrenj dhe ka studiuar për drejtësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos