
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka thërritur në një takim rektorët e universiteteve publike të vendit. Takimi do të zhvillohet në orën 18:30 dhe A2 CNN ka mësuar se në të mund të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Zyrtarisht takimi mbahet për të diskutuar për rankimin e universiteteve në vend, por ai vjen në ditën e parë të bojkotit të punës nga ana e pedagogëve, në ditën e parë të vitit akademik.
Gjatë ditës së hënë, bojkoti i mësimit u realizua për vetëm 2 orë, 10:00 me 12:00, por sindikata e punonjësve të universiteteve ka deklaruar se protesta do të vijojë, që nga ora 8:00. Sindikata ka refuzuar propozimin e qeverisë për rritjen me 15% të pagave, 7% të përballuar nga qeveria dhe 8% nga buxheti i vetë universiteteve. Pedagogët kërkojnë rritje të rrogës me 50% brenda dy viteve.
Gjatë paradites, në kohën kur pedagogët zhvillonin protestën, drejtuesit e universitetit Politeknik u njoftuan për një vizitë të beftë nga kryeministri Edi Rama, por që më pas u anulua. Në Fakultetin e Mjekësisë bojkoti është thyer nga vizita e ministres së Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu është kujdesur që gjatë fjalës së saj të tregojë se viti akademik ka nisur në të gjitha universitetet.
Edhe në universitete të tjera, në qytete të ndryshme të vendit, pedagogët kanë qenë të dyzuar mes bojkotit dhe vijim normal të mësimit. (A2 Televizion)