Kushtetuesja zbardh vendimin, Meta u përfshi në zgjedhje, por shkarkimi do të sillte më shumë pasoja

Nga A2 CNN
15 Mars 2022, 19:14 | Politikë
Kushtetuesja zbardh vendimin, Meta u përfshi në zgjedhje, por

Presidenti Meta shkeli Kushtetutën gjatë fushatës të zgjedhjeve parlamentare, duke u përfshirë në veprimtari politike, por këto shkelje nuk justifikonin shkarkimin e tij. Ky është në thelb arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka zbardhur argumentet që e çuan drejt vendimit për të mos shkarkuar Presidentin e Republikës.

Në skadim të afatit, Gjykata Kushtetuese zbardhi argumentet që çuan në vendimin për mosshkarkimin e Presidentit të Republikës. 82 faqe argumente kushtetuese tashmë janë një kornizë presidenciale brenda të cilave mund të ushtrojë mandatin kreu i shtetit.

Pikë së pari trupa kushtetuese shpjegon kriteret që përcakton shkeljen e rëndë kushtetuese, që duhet të jetë konkrete dhe e matshme, sipas saj, me qëllim që pasojat e një shkarkimi hipotetik të mos tejkalojnë ato të shkaktuara nga veprimet e Kreut të Shtetit. 

“Që të ndodhë shkarkimi i Presidentit, përfitimet në drejtim të mbrojtjes së Kushtetutës prej aktit antikushtetues të Presidentit duhet të tejkalojnë humbjet e mundshme që mund t`i vijnë vendit nga shkarkimi i tij”.

Gjykata është kujdesur që kornizat kushtetuese të mos jenë të ngurta për veprimtarinë e Presidentit duke i njohur atij individualitetin në rolin kushtetues, por në rastin e Metës, thekson se me qëndrimet dhe deklaratat publike gjatë fushatës zgjedhore, si dhe thirrjet për rotacion politik, është përfshirë në veprimtari politike duke shkelur parimin e paanësisë.

“Gjykata, duke analizuar qëndrimet e Presidentit, vlerëson fillimisht se qasja e tij në ushtrimin e këtij funksioni të lartë nuk ka qenë e përmbajtur, pasi ai ka ushtruar rol aktiv në jetën politike dhe shoqërore të vendit, në veçanti gjatë fushatës zgjedhore. Edhe në kontekstin e rolit aktiv që ka zgjedhur të mbajë Presidenti gjatë mandatit të tij kushtetues, i materializuar në deklarata dhe postime të shumta nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik dhe në përmbajtje me mesazhe politike, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, përbën veprimtari me natyrë politike”.

Duke analizuar pasojat e këtyre veprimeve, Gjykata vlerëson se ato nuk rëndojnë aq shumë sa të kthejnë peshoren kushtetuese në kahun e shkarkimit.

“Veprimtaria e Presidentit me natyrë politike, pavarësisht nëse ka qenë ose jo edhe partiake, nuk rezulton të ketë sjellë pasoja dhe efekte reale në drejtim të cenimit të thelbit të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara në Kushtetutë, veçanërisht atyre që zbatohen gjatë procesit zgjedhor, të rendit kushtetues ose funksionimit të institucioneve të shtetit, në përmasa të atilla që do të diktonin vënien para përgjegjësisë kushtetuese të Presidentit dhe do të justifikonin shkarkimin e tij nga detyra. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se veprimtaria politike e Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore nuk konsiderohet si shkelje e rëndë e Kushtetutës”.

Gjykata nuk ka lënë pa shqyrtuar edhe përplasjen e Metës me ambasadoren amerikane duke u shprehur se nuk arrihet të provohet se në ç’mënyrë janë dëmtuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos