Denoncimi i deputetes, Hajdari: Jam kërcënuar në Kuvend, merrni masa

Nga A2 CNN
28 Tetor 2019, 17:21 | Politikë
Denoncimi i deputetes, Hajdari: Jam kërcënuar në Kuvend, merrni

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, pretendon se ka marrë kërcënim me jetë në zyrën e saj.

“Kam pasur raste, kur persona kanë ardhur në zyrën time dhe më kanë kërcënuar. Ju lutem zoti kryetar, merrni masa para se të kemi ndonjë viktimë këtu në Parlament. Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar mirë, asnjë deputet nuk duhet të hyjë me përforcime, të shantazhojë deputetë të tjerë”, tha Hajdari nga foltorja e Kuvendit.

Deputetja, prej kohësh, ndodhet në konflikt me anëtarët e tjerë të grupit parlamentar, të cilët e kane zyrtarizuar te Gramoz Ruçi kërkesën për shkarkimin e saj. Pas kërcënimit, kryetari i Kuvendit njoftoi se kishte vënë në lëvizje ministrin e Brendshëm.

“Të merren masa në pas shkresës që më është përcjellë”, tha Ruçi.

A2 tentoi të zbulonte prej zonjës Hajdari identitetin e personit që e ka kërcënuar atë brenda një institucioni të sigurisë së lartë dhe të ruajtur nga Garda e Republikës në çdo kat.

Halit Valteri, i cili në konfliktin për drejtimin e grupit u pozicionua krah Hajdarit pak javë më parë, zbulon se kërcënimi ka ndodhur 2 javë më parë.

“Jam në dijeni që para dy javëve për këtë bisedë. T’ia lëmë kohës dhe zonja Hajdari do t’i sqarojë më tepër këto situata që kanë ndodhur”, tha Valteri.

Koha përkon me pikënisjen e iniciativave për shkarkimin e saj dhe zëvendësimin me Korab Litën. Ky i fundit mohon të jetë ai personi të cilit i referohet Hajdari.

“Nuk e kam kërcënuar. Unë e kam kolege”, tha Lita.

“Nuk besoj që një njeri nga jashtë, duke shkelur rregullat e sigurisë që ka Kryesia e Kuvendit dhe Kuvendi, të futet brenda pa një autorizim të posaçëm”, shpreh deputeti Alban Zeneli. Rundina Hajdari denoncoi pak javë më parë dhe kërcënimet që deputetja Fatjona Dhimitri kishte marrë për të firmosur shkarkimin e saj si kryetare e grupit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos