
Kandidatja presidenciale në Francë, Marine Le Pen, mbështet të gjitha sanksionet kundër Rusisë, përveç kur vjen puna te furnizimet me naftë dhe gaz. Politikania e ekstremit të djathtë thotë se nuk dëshiron që francezët të vuajnë pasoja të rënda në sektorin energjetik dhe të lëndëve të djegshme.
Le Pen do të përballet me Emmanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi mori rezultatin më të mirë në karrierën e saj. Por po has kritika të shumta për faktin që shfaqet shumë afër Rusisë, mes luftës në Ukrainë.
Në 2014-ën, partia e saj mori një hua nga një bankë pranë Kremlinit, ndërsa 3 vite më vonë mbështeti aneksimin e Krimesë nga Moska dhe kërkoi heqjen e të gjitha sanksioneve ndërkombëtare. Politikania franceze u justifikua për këtë qëndrim duke theksuar se në 2014-ën ishte një situatë tjetër nga se është tani me pushtimin e Ukrainës, por ofroi mbështetje për ambiciet e presidentit Vladimir Putin për një botë “multi polare”. Ajo foli edhe për atë që është konsideruar një agjendë e fshehtë për të nxjerrë Francën nga Bashkimi Europian.
“Mendoj që një shumicë e madhe e francezëve nuk e duan Bashkimin Europian ashtu siç ekziston sot, që është një Union që funksionon në një mënyrë absolutisht jodemokratike, që përparon përmes kërcënimeve, shantazheve dhe zbaton politika që janë kundër interesave të njerëzve dhe interesave jetike të ekonomive tona”, tha Le Pen. Përkundër zbutjes së qëndrimeve, partitë e tjera tradicionale në Francë janë kundër Le Pen dhe po ofrojnë mbështetje për Macron. Presidenti në detyrë ka intensifikuar fushatën, por takimet elektorale nuk janë përherë pozitive. Macron vizitoi punonjësit e shëndetësisë në qytetin Mulhouse, ku një infermiere i kërkoi atij që ta rrethojë veten me njerëz të aftë pasi qytetarët po vuajnë. Macron iu përgjigj duke thënë se i ka mbajtur premtimet e dhëna gjatë pandemisë. (A2 Televizion)