Ylli i Los Angeles Lakers, LeBron James, u përjashtua nga ndeshja pasi goditi me bërryl lojtarin e Detroit Pistons, Isaiah Stewart, gjatë ndeshjes së të dielës në “Caesars Arena” në Detroit.
James u përjashtua menjëherë, por pritet që dënimi për të do të jetë edhe më i ashpër, pasi incidenti do të rishikohet nga zyrtarët e NBA. Ai rrezikon gjobë të majme, ndërsa pezullimi për disa ndeshje ka pak mundësi të ndodhë, për shkak se ky është vetëm përjashtimi i dytë në karrierën e tij.
Pas goditjes së James, lojtarët dhe anëtarët e stafit të të dyja skuadrave u futën në parket për të ndarë Stewart dhe James, të cilët po i bërtisnin njëri-tjetrit. Lojtari i Pistons u gjakos nga goditja, por për shkak të ofendimeve dhe përpjekjeve për të sulmuar James u përjashtua edhe ai nga ndeshja. Madje për sjelljen e tij, Stewart rrezikon edhe pezullim për disa ndeshje, përveç se gjobë.
Nga pamjet e kapura në kamera, James duket që e godet me bërryl dhe grusht kundërshtarin, gjatë një dyluftimi në parket. Pasi Stewart rrëzohet në tokë, James i afrohet për t’i kërkuar falje, por ky veprim nuk u vlerësua nga Stewart, i cili u mbajt nga shokët e skuadrës për të mos goditur LeBron.
Lakers e fituan ndeshjen 121-116. Në përfundim të saj, lojtari i Los Angeles, Anthony Davis, tha se James nuk e kishte goditur me qëllim dhe kritikoi Stewart për sjelljen e shëmtuar. Edhe trajneri i Pistons, Dwane Casey, tha se nuk mendonte që James ishte lojtar i pisët, por u përpoq të justifikonte sjelljen e basketbollistit të tij. (A2 Televizion)