Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet për të miratuar emërimin e 8 prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Në mbledhjen e radhës njoftohet se do të hapet edhe gara për drejtuesin e Prokurorisë Speciale dhe se do të përcaktohet metodologjia për zgjedhjen e tij.
Por pavarësisht se prokurorët do të marrin emërimin, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, një prej organeve më të shumëpërfolura të reformës në drejtësi, që do të hetojë zyrtarët e lartë, nuk mund të konsiderohet e ngritur.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë përsipër të procedojë me emërimin e prokurorëve, nën presionin e faktorit ndërkombëtar.
Ngritja e SPAK dhe arrestimi i zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korruptive, ka qenë një ndër kërkesat e hershme të Këshillit Europian, si kusht për hapjen e negociatave. Ngritja e SPAK është një nga kushtet e Bundestagut gjerman në tetor të këtij viti pasi në Bruksel, nuk u mor një vendim për hapjen e negociatave. Ngritja e SPAK është edhe një kërkesë e hershme e Ambasadës amerikane, si mjeti kryesor për hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar.
Por 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, Prokuroria Speciale po lind si një strukture e cunguar. Neni 148, pika Dh i Kushtetutës, thotë se numri minimal i prokurorëve të SPAK është 10.
Duke qenë se 4 kandidatë të tjerë ende nuk e kanë kaluar Vettingun, struktura mbetet e paplotë, megjithëse ecja përpara me procedurat nga Këshilli i Lartë ka bekimin e partnereve ndërkombëtarë. Jo rastësisht, në njoftimin për mediat, përmendet se emërimi i 8 prokurorëve të SPAK-ut do të ndiqet nga përfaqësues të EURALIUS, projekti i Bashkimit Europian për mbështetjen e drejtësisë në Shqipëri dhe nga përfaqësues të OPDAT, programin paralel të financuar nga Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)