Lehtësohet trafiku në Jug, Balluku: Nga 16 korriku hapet bypass-i i Vlorës

Nga A2 CNN
9 Korrik 2021, 07:35 | Aktualitet
Lehtësohet trafiku në Jug, Balluku: Nga 16 korriku hapet bypass-i i

Nga 16 korriku, të gjithë ata qytetarë që zgjedhin të kalojnë pushimet në jug do të mund të kalojnë nga bypass-i i Vlorës. Lajmin e ka dhënë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të punimeve, mbrëmjen e djeshme. Shtatë ditë para hapjes së këtij aksi, ministrja tha se në bypass-in e Vlorës po punohet ditë-natë, për t’i dhënë dorën e fundit këtij segmenti që do të lehtësojë lëvizjen drejt bregdetit të jugut.

"Më 15 korrik, mbyllen të gjitha punimet, mbrëmjen e 15 korrikut do të punohet me policinë për kolaudimin dhe më pas me përfaqësuesit europianë, pasi ata janë mbështetësit financiarë të këtij projekti dhe më 16, të premten, kur njerëzit do të aksesojnë jugun nëpërmjet kësaj rruge, me kryeministrin dhe përfaqësues të delegacionit europian, do të hapim këtë rrugë për kalim. Do të shkojnë në jug pa pasur nevojë të kalojnë nga qyteti i Vlorës që do të mbetet një sit turistik, por jo një rrugë kalimi për në jug".

Duke e vënë theksin te siguria rrugore, Balluku tha se janë përmbushur kushtet, ndërkohë që i është kërkuar ndihmë edhe Policisë së Shtetit që të inspektojë rrugën përpara se ajo të bëhet e kalueshme për automjetet.

"Ecuria e punimeve është shumë e mirë, në kantiere po punohet ditën edhe natën. Ne jemi të përqendruar te siguria rrugore dhe shikoj që dukshëm janë përmbushur disa nga kushtet e sigurisë rrugore, i kemi kërkuar Policisë së Shtetit që të vijë para se të dorëzohet vepra dhe do të inspektojmë rrugën dhe ata do të na japin sugjerimet e tyre për ndryshimet që mund të jenë të nevojshme".

By-pass-i i Vlorës është me një gjatësi 29 kilometra. Nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë dhe përfundon në lindje të Orikumit, ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë. Në projekt, është parashikuar ndërtimi i 5 urave, si dhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat.

Ky segment do të hapet përkohësisht për të lehtësuar trafikun gjatë sezonit veror, ndërsa më pas do të mbyllet deri në përfundimin e plotë të punimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos