
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, u la pas hekurave pasi Apeli i GJKKO vendosi të mbajë të pandryshuar masën e sigurisë "arrest në burg” që ishte vendosur për të nga togat e zeza të Shkallës së Parë.
Pak orë pas shpalljes së vendimit nga GJKKO, Athina zyrtare ka reaguar ashpër nëpërmjet Ministrisë së Jashtme duke shprehur qëndrimin e saj kundër vazhdimit të qëndrimit në paraburgim të Belerit.
Në deklaratën e saj, MEPJ helene ngre dyshime për ekzistencën e arsyeve politike në lidhje me ndalimin e Belerit dhe paralajmëron sërish se çështja në fjalë do të të shkaktojë probleme në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pala greke nënvizon se me shumë gjasë nuk do të ndryshojë qëndrim për sa kohë Shqipëria, sipas tyre, nuk respekton rregullat dhe ligjet.
REAGIMI:
“Refuzimi i kërkesës së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për të mos vazhduar të masën e paraburgimit, nuk rezulton të jetë në përputhje me dispozitat e shtetit të së drejtës, ndërkohë që nuk përbën as trajtim të drejtë të një përfaqësuesi të zgjedhur të vetëqeverisjes vendore.
Kjo pasi, siç del nga njoftimi i Prokurorisë Speciale të Shqipërisë, është e vetmja masë paraburgimi në fuqi nga 31 ankesa për krime zgjedhore që janë trajtuar.
Ajo gjithashtu ngre pikëpyetje për ekzistencën e arsyeve politike që justifikojnë mbajtjen në fuqi të masës së paraburgimit, pasi shkakton pengesa esenciale që Fredi Beleri të marrë detyrën e tij si kryebashkiak.
Vazhdimi i “arrestit me burg” për Fredi Belerin ka qenë objekti i bisedës së sotme mes ministrit të Jashtëm Vasilis Kaskareli dhe homologes së tij shqiptare Olta Xhaçka në Oslo, në margjinat e takimit joformal ministror të ministrave të jashtëm të NATO-s.
Ministria e Punëve të Jashtme e ka vendosur çështjen shumë lart në prioritetet e saj dhe përtej dimensionit dypalësh të çështjes, do të vazhdojë të informojë dhe ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar dhe në veçanti partnerët europianë, pasi Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE”. (A2 Televizion)