Tensionet në Kosovë, Begaj: Dhuna e patolerueshme, të zbatohen marrëveshjet

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 15:25 | Politikë
Tensionet në Kosovë, Begaj: Dhuna e patolerueshme, të zbatohen

Shkakun e tensionimit të situatës në veriun e Kosovës, Presidenti Bajram Begaj e sheh te moszbatimi i marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit, plotësuar më pas nga ajo në Ohër. Me në krah homologen hungareze, që gjendet në Tiranë për vizitë zyrtare, Begaj kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi më shumë përgjegjshmëri.

“Asnjë pretekst nuk mund të nxirret për të justifikuar asnjërën nga palët për moszbatimin e marrëveshjes të dakordësuar publikisht në Bruksel dhe anekseve të saj në Ohër. Prandaj, mendoj që në këtë moment nevojitet një shtensionim i situatës, të tregohet maturi dhe durim, dhe t’i shërbehet zgjidhjes së problemeve dhe të jetë busulla e orientimit të dy vendeve për arritjen e asaj marrëveshje që është dakordësuar”, tha Begaj.

Tone më të ashpra, kreu i shtetit i pati për aktet e dhunës ndaj ushtarëve të NATO-s dhe medias. “Në fakt, keqpërdorimi i popullatës serbe në veri të Kosovës dhe dhuna e ushtruar ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR dhe medias është e patolerueshme, e pajustifikueshme”.

Edhe presidentja, Katalin Novak dha qëndrimin hungarez mbi këto ngjarje ku apeli ishte për shtensionim të situatës.

“Nëpërmjet KFOR-it jemi të angazhuar me 400 ushtarë hungarez dhe sipas komandave, kryejnë detyrën e tyre. Njerëzit duhet të kuptojnë që është shumë e rëndë nëse këto tensione do të vazhdojnë të përshkallzohen. Ndaj qëllimi jonë është deeskalimi i tyre”, tha Novak.

Prej disa ditësh, situata në veriun e Kosovës vijon te jetë e tensionuar, duke marrë vëmendjen e kancelarive kryesore ndërkombëtare.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos