Kallëzimi i Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve, "Apeli" lë në fuqi fillimin e hetimeve

Nga A2 CNN
1 Qershor 2023, 12:53 | Politikë
Kallëzimi i Metës ndaj Autoritetit të Dosjeve, "Apeli"

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi fillimin e hetimeve ndaj Autoritetit të Dosjeve, i paditur nga ish-Presidenti Ilir Meta, i cili paditi Autoritetin e Dosjes, pasi i publikuan një dosje ku akuzohej si politikan i nivelit pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 9 dhjetorit, që vendosi të niste hetimet për Autoritetin e Dosjes të paditur nga Meta. Gjykata e Tiranës e vuri theksin në vendimin e saj në faktin se pas regjistrimit të procedimit penal, organi i akuzës duhet të marrë në pyetje Filip Talon, personin që është kallëzuar nga I. M në ish-sigurimin e shtetit.

Gjithashtu, Gjykata urdhëroi prokurorinë që të administrojë të gjithë praktikën administrative të ndjekur nga AIDSSH që nga momenti i vënies në dijeni/marrjes së e-mail anonim dhe në vijim. Gjykata kërkon edhe marrjen në pyetje të të gjithë anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.

“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është shqyrtuar çështja penale që i përket ankuesit Ilir Metaj, me objekt: Ankimin ndaj vendimit “Për mosfillimin e procedimit penal”, datë 21.09.2022 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022. Paraqitur nga ankuesi, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumetat e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 ka vendosur:

1.            Shfuqizimin e vendimit datë 21.09.2022 "Për mos fillimin e procedimit penal" të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal Nr.11409, datë 06.09.2022.

2.            Detyrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të regjistrojë procedimin penal për kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022 dhe të kryejë hetimet përshkruar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës dhe lënien në fuqi të vendimit mbi “Mosfillimin e procedimit penal”.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 01.06.2023 në dhomë këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:

-Lënien në fuqi të vendimit me Nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”

Njoftimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

Kujtojmë se, ish-kreu i shtetit Ilir Meta kallëzoi penalisht për Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik, kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.

Në kallëzimin drejtuar SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, Meta kërkonte që të bëhet hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos