
Roxhers Demirazi, 19-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet si i përfshirë në vrasjen e bashkëmoshatarit të tij grek, Alkis Kampanos në Selanik, është dorëzuar në policinë e Korçës.
Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet greke, ndërsa dyshohej se kishte kaluar kufirin për në Shqipëri. Avokati i tij grek kishte deklaruar se Demirazi ka kërkuar që të dorëzohet. “Ai do të pranojë të vijë në Greqi për të dhënë shpjegime dhe në vendin tonë, do të ketë një gjykim të drejtë”, ka thënë avokati, raporton Protothema.
Avokatët grekë kanë thënë në median greke se pas lëshimit të urdhrit ndërkombëtar për arrest është e pamundur që i riu të kthehet vetë në Greqi, të kalojë kufirin si çdo qytetar. Ndaj, edhe autoritetet greke i kanë sugjeruar të dorëzohet në autoritetet shqiptare, për të kryer procedurën në prokurorinë e zonës e në vijim të kryhet dhe ekstradimi në Greqi. (A2 Televizion)