
Lulzim Basha u paraqit në Prokurorinë e Posaçme SPAK për t’u dhënë përgjigje 3 pyetjeve të prokurorëve belgë, në lidhje me informacionin e rreth 3,4 milionë eurove që u sekuestruan në një Toyota në Durrës. Kryetari i PD tha se ishte marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen.
Pak ditë para se dy makinat të kapeshin në port, Basha deklaroi në Parlament se Taulant Balla kishte porositur një makinë me para “droge” brenda. Balla e akuzoi Bashën se ishte ai porositësi i parave, duke publikuar edhe një foto të një prej personave të shpallur në kërkim në atë kohë, bashkë me Bashën, në zyrën e këtij të fundit.
Kjo është hera e dytë që Basha merret në pyetje për këtë çështje, pasi ka dëshmuar edhe në vitin 2019 në Prokurori. Atëherë, Basha deklaroi se informacionet e plota do t'ua jepte prokurorëve belgë.
Pas gjetjes së tyre në Durrës, ish-Prokuroria për Krimet e Rënda ngriti dyshime për një grup kriminal që pastronte para. Për çështjen, u shpallën në kërkim vëllezërit Ervis dhe Alfred Vladi, ndërsa u arrestuan katër të tjerë, që u liruan në janar 2020.
Hetimi nuk i provoi akuzat dhe dosja i kaloi Prokurorisë së Tiranës, e cila dërgoi si të pandehur vetëm Elvis Vladin, për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave dhe sendeve me vlerë”. Gjykata e Tiranës shpalli fajtor Ervis Vladin për faktin se nuk deklaroi në kufi milionat e eurove të fshehura në mjetet “Toyota”. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave dhe sendeve me vlerë”, por përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gjatë hetimit parave të Vladit i doli për zot një shtetas gjerman, që kishte dokumentet bankare për to dhe që i tha hetuesve se ia kishte dhënë Elvis Vladit për biznes. Por, paratë kaluan në llogari të shtetit, pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi të premten kërkesën e SPAK për konfiskimin e kësaj shume, si edhe të disa pasurive të tjera të personave të hetuar si të përfshirë në “pastrim parash” dhe “grup kriminal”, akuza që nuk u provuan. (A2 Televizion)