
Pedagogu i komunikimit, Erlis Çela, i ftuar në studion e “Absolut 4” në A2, u shpreh se “përqendrimi i debatit te lidershipi i Partisë Demokratike, krijon një perceptim në publik sikur i gjithë faji për humbjen e zgjedhjeve është i opozitës dhe nuk ka pasur fare një makinacion të organizuar mirë për të manipuluar dhe blerë votën”.
“Kemi disa ditë që debatin e kemi përqendruar a do të japë apo jo dorëheqjen Lulzim Basha. Ka një përpjekje për të mitizuar fuqinë e mazhorancës për të bërë hile kundër rivalit. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në zgjedhje. Përgjegjësia duhet trajtuar në mënyrë të balancuar, duke qenë se po flasim për përgjegjësi morale, pasi në statutin e PD-së nuk thuhet që kryetari largohet nëse humb zgjedhjet”, deklaroi Çela.
Sipas tij, ishin “773 mijë shqiptarë që votuan kundër mandatit të tretë”.
“Partia Socialiste ka marrë 768 mijë vota. Pra, shumica e shqiptarëve nuk e votuan mandatin e tretë të Ramës. Ne diskutojmë pse humbi opozita, por harrojmë shifrat. Shifrat na tregojnë se diçka nuk ka funksionuar për mënyrën se si erdhi aksioni, edhe nga pikëpamja taktike. Ta japë e gjithë Kryesia dorëheqjen. Nuk është e drejtë që përgjegjësinë ta mbajë vetëm një individ”, shtoi Çela. (A2 Televizion)