
Gishtat e shumëfishtë të evidentuar nga pajisja e identifikimit elektronik, socialistët kërkojnë t’ia faturojnë Partisë Demokratike. Me bindjen se ato i përkasin operatorëve të përzgjedhur nga nën komisionerja Lealba Pelingu, përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, kërkoi një reagim publik prej saj, pasi edhe shkresa mbi gishtat e shumëfishtë është firmosur nga ajo.
“Unë nuk do e ngrija në fakt këtë kërkesë, por meqenëse kjo provë ka bërë lajm dhe opinion publik nuk është thënë ajo që ka ndodhur. Për ne, nga verifikimet që kemi bërë dje, është 0persona që kanë votuar, persona që nuk u takonte të votonte. Çdo gjë që del nga kjo sall është qime, por kur del jashtë bëhet tra”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së.
Nënkomisionerja nuk pranoi t’i përgjigjej publikisht kërkesave të socialistëve duke i thënë se informacionet do t’i paraqesë me shkrim.
“Sjell edhe një herë në vëmendje se kjo është një provë e kërkuar nga ankuesi PD, pra është kërkuar nga opozita, si edhe nënkomisioneri, personi përgjegjës për teknologjinë është emëruar me propozim të opozitës për mbikëqyrjen e këtij procesi”, shtoi anëtari i Kas, Koli Bele.
Situata e krijuar solli një tjetër shtyrje. Procesi i ankimimeve tashmë ka hyrë në javën e dytë ndërkohë që ende nuk është mbyllur asnjë nga kërkesat ankimore. Kjo nuk pengoi anëtarët e KAS të nisnin procedurat për Qarkun e Vlorës, ku PD gjithashtu kërkon pavlefshmëri të zgjedhjeve. Edhe në këtë rast, KAS nuk pranoi të marrë prova shtesë, që kërkonin demokratët. (A2 Televizion)