
Presidenti i Republikës nuk u paraqit para Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij. Kuvendit iu me përgjigj me shkrim, ku mungesa arsyetohej me vizitën në samitin e Brdo-Brijunit, për të cilën kreu i shtetit thotë se institucionet kishin njoftim prej kohësh.
“Jo vetëm që Protokolli i Shtetit është në dijeni të këtij fakti, por vetë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka informuar zyrtarisht Institucionin e Presidentit të Republikës, me shkresën nr. 5406prot., që në datën 5.5.2021, mbi këtë aktivitet, draft programin, informacionin e përgjithshëm dhe nevojën e ndjekjes së procedurave të regjistrimit të delegacionit me qëllim pjesëmarrjen”. Komisioni i la kohë deri më 24 maj për t’u paraqitur në momentin më të preferuar prej tij.
Në arsyetimin e tij, Presidenti i Republikës e cilëson veprimtarinë e komisionit hetimor si jolegjitime, për sa kohë thotë se Kuvendi gjendet në një periudhë tranzitore të përfundimit të mandatit.
“Ky Kuvend tashmë pas zgjedhjeve të zhvilluara më25 prill 2021, ndodhet në një periudhë tranzitore, që i duhet të qëndrojë në detyrë si një detyrim kushtetues, por nuk ka as kohë dhe as legjitimitet të ndërmarrë iniciativa për asnjë lloj veprimtarie hetimore, ndaj askujt, dhe për asnjë arsye”.
Ky qëndrim i kreut të shtetit nuk u prit mirë nga anëtarët e komisionit.
Ndërkohë që Komisioni vazhdoi me analizimin e deklaratave publike të Presidentit gjatë fushatës, Meta në arsyetimin prej 40 faqesh drejtuar Kuvendit, flet për hakmarrje dhe çështje sovraniteti.
“I bëj thirrje këtij Kuvendi, se askush, brenda dhe jashtë vendit, nuk mund të gënjehet e mashtrohet se kjo është çështje “etike” dhe “retorike”. Jo! Kjo është vetëm çështje sovraniteti! Edhe pse kjo nismë është një hakmarrje, ju garantoj se, Presidenti i Republikës, ishte dhe do të mbetet i vetmi institucion që nuk e frikësuat, që nuk e korruptuat, dhe që nuk e detyruat asnjëherë, që të shkelte Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Kryetari i Komisionit hetimor Alket Hyseni kërkoi nga kreu i shtetit që të paraqitet në seancën dëgjimore qoftë edhe për hir të transparencës me publikun.
Kjo është hera e dytë që Meta injoron Kuvendin, për të njëjtën çështje. Fillimisht ai nuk u paraqit në Komisionin e Ligjeve kur shqyrtohej kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor. Edhe atëherë u përmend agjenda dhe mungesa e kohës për t’u përgatitur. (A2 Televizion)