Liga e Futbollit nuk do të lejojë RTSH-në të transmetojë përmbledhjet e Kategorisë Superiore

Nga A2 CNN
19 Tetor 2020, 17:10 | Futboll
Liga e Futbollit nuk do të lejojë RTSH-në të

Liga e Futbollit ka vendosur të mos i japë Radiotelevizionit Shqiptar të drejtat e transmetimit të përmbledhjeve të ndeshjeve të Kategorisë Superiore.

Shkak për këtë vendim duket se është bërë qëndrimi që kanë mbajtur gazetarët e RTSH në emisionet sportive në lidhje me bojkotin e kampionatit nga ana e klubeve.

Edhe pse të drejtat e transmetimit të përmbledhjeve mësohet se janë shitur për të paktën tre sezonet e ardhshme, Liga, e cila do të shesë të drejtat e transmetimit për ndeshjet dhe përmbledhjet e kampionatit, duket se ka vendosur të ndëshkojë televizionin kombëtar publik për qëndrimin e mbajtur në bojkotin e sezonit të ri.

Radiotelevizioni Shqiptar reagoi përmes një deklarate të publikuar në Facebook, duke hedhur poshtë pretendimet e Ligës për trajtim të padrejtë ndaj kërkesave të tyre, madje akuzon se me këtë qëndrim, Liga po përpiqet të ndikojë linjën editoriale të transmetuesit publik.

“I bëjmë me dije Ligës, të informohet që të drejtat televizive të Kategorisë Superiore janë shitur për një periudhë 4-vjeçare nga Federata Shqiptare e Futbollit, periudhë e cila nuk ka përfunduar ende. Garantojmë publikun që me zbardhjen e vendimit të Ligës Profesioniste, RTSH do të ndërmarrë hapat e saj ligjorë për të bërë të pavlefshme tentativën e radhës për të “bllokuar” studiot televizive që flasin atë që mendojnë dhe jo atë që kërkojnë tu diktojnë…”, thuhet në reagimin zyrtar të RTSH. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos