Liga e Kombeve, Maqedoni e Veriut-Kosovë do të luhet pa tifozë

Nga A2 CNN
10 Mars 2020, 20:49 | Futboll
Liga e Kombeve, Maqedoni e Veriut-Kosovë do të luhet pa tifozë

Ëndrra e Kosovës drejt Euro 2020 merr një shtysë të rëndësishme. Kjo sepse gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve, e parashikuar më 26 mars në Maqedoninë e Veriut, pritet të luhet pa tifozë.

Mes emergjencës shëndetësore nga koronavirusi, Komisioni maqedonas për Sëmundje Ngjitëse vendosi të mbyllë shkollat, kopshtet dhe çerdhet për dy javët në vijim. Në masat e marra kundër përhapjes së koronavirusit, mes të tjerave janë të ndaluara edhe mbledhjet publike apo aktivitetet sportive.

Kjo do të bëjë që ndeshja Maqedoni e Veriut-Kosovë të luhet pa praninë e tifozëve.

Një avantazh për Dardanët, sepse në datën 6 mars u njoftua shitja me kapacitet të plotë e stadiumit, për një total prej 36 mijë vendesh.

Tashmë, mbetet vetëm që Federata Maqedonase e Futbollit të zyrtarizojë zhvillimin e sfidës me dyer të mbyllura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos