
Nismat e qeverisë për të rritur pagat në sektorin publik morën dritën jeshile në komisionin e ligjeve. Dy deputetët e vetëm opozitarë që ishin në sallë ngritën dorën në aprovim të projektligjeve, por duke akuzuar qeverinë se ka lënë në varfëri pensionistët.
“Një bukë misri dhe një shishe kos në ditë bëjnë 2 mijë lekë. Për 30 ditë, mesatare bën 60 mijë lekë, se për bukë gruri s’ka terezi. 40 mijë lekë i ka ilaçe kur është mirë. Tani ngelen 8 mijë lekë për drita ujë e të tjera me radhë” u shpreh Korreshi.
“Ne gjatë këtij viti kemi dhënë disa shpërblime për pensionistët dhe përveç shpërblimeve në vitin 2022kemi indeksuar pensionet në 9.5%”, theksoi ministrja Ibrahimaj.
“S’kanë lekë për të blerë mbathje, s’kanë lekë për të blerë bukë dhe i shikon gjithë ditën në pazar të tresin bukën e misrin. Unë besoj se këta njerëz janë duke pritur njerëzit”, vijoi Korreshi.
Nga rritja e pagave përfiton administrata publike, por Ministrja u shpreh në komision se efekti do të shtrihet edhe në sektorin privat.
“Duke u rritur pagat mesatare në sektorin privat, ne do të kemi më shumë të ardhura nga sigurimet shoqërore që të fillojmë të mendojmë për një politikë për rritjen e pensioneve”, theksoi Ibrahimaj.
“Po t’i marrësh burrat në Lushnje t’i kthesh përmbys, nuk i gjen as 50 lekë. Po t’i thërrasësh për kafe nuk vjen thotë e kam pirë, e ka pirë në datën 1 kur ka marrë rrogën”, u përgjigj Korreshi.
Oponencë projektligjeve i bëri edhe socialisti Fatmir Xhafaj i cili nuk ishte dakord me skemën e propozuar, ndonëse dha votën pro. Sipas tij, institucionet e pavarura apo entet publike janë përfitues më të mëdhenj duke ia kaluar edhe rrogave të drejtësisë.
“Me rritjen e koeficientit e kalojnë pagë bazë të gjyqtarit dhe prokurorit, e kalojnë në mënyrë të ndjeshme. Unë nuk besoj se këta të gjithë bëjnë një punë më të dobishme shoqërore se sa një gjyqtar dhe një prokuror”, u shpreh Xhafaj.
“Titullarët e institucioneve të pavarura marrin vetëm pagën që është e përcaktuar në këtë ligj, ndërsa gjithë magjistratët marrin paga të cilat kanë shtesa mbi pagë të cilat janë edhe më të larta se sa paga bazë”, u shpreh Ibrahimaj.
Pas miratimit në Komisionin e Ligjeve, nismat do të shkojnë për aprovim në Komisionin e Ekonomisë dhe të enjten kalojnë për votim në seancë plenare. (A2 Televizion)