
Për përcaktimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme do të përdoret një skemë e posaçme dhe me anë të saj qeveria do mbështesë këto biznese.
Në projektligjin e sapo miratuar nga Këshilli i Ministrave, përkufizohet se ndërmarrjet të vogla quhen ato që kanë më pak se 50 të punësuar, bilanci vjetor i së cilave nuk i kalon 50 milionë lek, ndërsa mikro, ato me më pak se 10 punonjës e me bilanc jo më shumë se 10 milionë lekë.
Kategoria e tretë është ajo e ndërmarrjeve të mesme me 50 deri në 249 të punësuar e me bilanc vjetor nga 50 deri në 250 milionë lekë.
Mirëpo, këto përcaktime të reja nuk gjejnë pëlqimin e Shoqatës së Biznesve të Vogla e të Mesme.
Me anë të këtyre përcaktimeve, qeveria synon të rrisë mbështetjen me 50 për qind, aplikimet gjithashtu. Në dokument parashikohet gjithashtu rritja e numrit të ndërmarrjeve të reja me 10 për qind çdo vit si dhe shtimi i granteve në masën 100 për qind.
Sipas dokumentit, dhënia e mbështetjes shtetërore për këto njësi mund të bazohet edhe vetëm te plotësimi i kriterit të numrit të personelit. Këto njësi mbështeten nga buxheti i shtetit; nga partnerët për zhvillim vendas ose të huaj; si dhe garancitë shtetërore të huasë. (A2 Televizion)