Transferimi i parave jashtë dhe klima e të bërit biznes në syrin e ekspertit Genti Beqiri

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2021, 20:42 | Ekonomi
Transferimi i parave jashtë dhe klima e të bërit biznes në

Transferimi i parave jashtë, klima e të bërit biznes në vendin tonë dhe sektorët më tërheqës për investime ishin pjesë e bisedës në studion e "Business News" me ekspertin e Ekonomisë Genti Beqiri. Në këndvështrimin e tij, Beqiri thekson se transferimi i parave jashtë nga investitorët e huaj është pjesë normale e biznesit që është rregulluar me marrëveshje mes vendeve.

“Vendet që kufizojnë transferimin e parave nuk bëjnë pjesë në vendet demokratike. Vendi ynë e ka të vështirë nëse fitimet i ka të kufizuara dhe nëse nuk lejon transferimin e parave me kapital të huaj”.

Ai thekson se e mira do të ishte që kompanitë e mëdha të ri investonin në vendin tonë dhe shton se Shqipëria ka shembuj konkretë sesi mund të mbahen në vend këto kompani.

“Një pjesë e kompanive e kanë mbyllur ciklin e investimit p.sh kompanitë e telekomunikacionit. Kjo është një mundësi. Kanë pasur akumulim në këto vite dhe kanë zgjedhur transferimin, por edhe këto sipërmarrje janë fitimprurëse, varet si i lexojmë unë i quaj pozitiv. Bëhet fjalë për kapital që largohet nga vendi. E mira do të ishte të rinvestoheshin këtu, por ndoshta është pamundësi e strukturave tona që këto ndërmarrje të diversifikojnë portofolin. Sipërmarrjet në telekomunikacione, energji të diversifkojnë investimet. Të qëndrojmë më pranë tyre për të parë mundësinë për oportunitete të tjera. Kjo është mënyra më e mirë, kontakti i drejtpërdrejtë. Ne kemi shembuj konkretë sesi këto kompani mund t’i mbajmë, por kjo bëhet me kontakt të vazhdueshëm me sektorin financiar për të kuptuar cilat janë mundësitë dhe si t’i identifikojmë ato”.

Sa i takon klimës së të bërit biznes, Beqiri thekson se dinamika e saj ka ndryshuar nuk ka tërheqje të drejtpërdrejt të investimeve, por përmes kanaleve politike.

“Ka një dinamikë të ndryshme nga vitet e kaluara. Nëse më parë kishte tërheqje 360 gradë të investimeve, tani situata ka ndryshuar. Që me ardhjen në pushtet të Trump në SHBA, vendet në mënyrë të vazhdueshme filluan të kenë të njëjtën përqasje sa u takon investimeve. Trump u bëri thirrje që të ktheheshin në Amerikë dhe kjo do të kishte reagim nga vendet europiane. Tashmë tërheqja e investimeve nuk bëhet drejtpërdrejt, por në kanalet e politikës e stimuluar nga politika e vendeve, si p.sh Serbia që ka tërhequr investime kineze, ruse, turke”.

Sektorët më atraktivë për thithjen e investimeve në vendin tonë, sipas Beqirit, janë turizmi, energjia, telekomunikacioni, ndërsa problem mbetet investimet në bujqësi dhe sektorin hekurudhor.

“Kjo lidhet me paketën fiskale dhe buxhetin. Ne investimet më atraktive i kemi drejt turizmit dhe problematikë e ekonomisë sonë që importojmë produkte bujqësore kur ne kemi kapacitete t’i prodhojmë. IT dhe energjia janë pjesë përbërëse. Isha i interesuar për zhvillim në sektorin hekurudhor, sektorëve të lidhur me të se ka njohur zhvillim konstant dhe është pjesë themelore në të ardhmen. Por nuk shoh investim në bujqësi dhe kjo reflektohet në buxhet e paketë fiskale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos