
Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë nuk pranuan në komisionin e shëndetësisë se Shqipëria po kalon një situatë kritike për shkak të mungesës së mjekëve, teksa diskutohej me procedurë të përshpejtuar projektligji që detyron studentët e mjekësisë që të punojnë për 5 vite në vend, para se të marrin diplomën dhe të mund të largohen nga vendi.
“Në çdo 10 mjekë të rinj të diplomuar në Shqipëri, 2 prej tyre largohen në vendet e huaja. Për të mbuluar nevojat dhe për t’i paraprirë një problematike që mund të jetë më e theksuar në vitet në vijim, kemi sjellë sot këtë ligj”, tha ministrja Kushi.
“Deri më sot, nuk ka artikuluar askush që kemi mungesa të frikshme mjekësh po bëhet me procedurë të përshpejtuar se jemi në korrik dhe ata që vendosin për të studiuar mjekësi të kenë kohë për të menduar”, u shpreh Rakacolli.
Deputetët e opozitës propozuan një tjetër zgjidhje për frenimin e largimit të bluzave të bardha duke nisur nga përmirësimi i kushteve në spitale e deri tek rritja e pagave, teksa akuzuan mazhorancën socialiste se me ligjin e ri për studentët e Mjekësisë po shkelin të drejtën e Arsimimit dhe po kthejnë punësimin e detyruar.
“Keni shkelur kushtetutën, rritni pagat, jepni infrastrukturë e praktika dhe ky është motivim për ta, jo detyrimi, mendësi komuniste kjo që thoni ju”, tha deputetja demokrate.
“Duke rritur kuotat do të ulni nivelin e mjekëve. Kjo nuk është zgjidhje”, tha Vasili.
Sipas opozitës, detyrimi i studentëve të Mjekësisë për të punuar 5 vite në spitalet publike, parasë të marrin diplomën për t’u larguar jashtë vendit, do t’i shtyjë maturantët të shkojnë drejt universiteteve private. (A2 Televizion)