Kompanitë e mëdha teknologjike nuk mund të hedhin instrumente financiarë në treg. Ky është propozimi që vjen nga demokratët në Kongresin amerikan, si kundër reagim i planeve të Facebook për të lançuar kriptovalutën Libra vitin e ardhshëm.
Drafti do ta ketë të vështirë të kthehet në ligj, për shkak të opozitës së pritshme nga republikanët. Megjithatë i dërgon një mesazh të qartë numrit në rritje të firmave teknologjike që kërkojnë të zgjerohen në hapësirën financiare. Madje drafti parashikon një gjobë prej 1 milionë dollarësh për çdo ditë në shkelje të ligjit.

Kështu Facebook dhe 28 partnerët e tij në këtë nismë, përfshirë Mastercard, Paypal dhe Uber hasin një pengesë tjetër në krijimin e një valute që do të kishte qindra miliona përdorues ditorë.
Disa ditë më parë, edhe presidenti amerikan Donald Trump kritikoi Libra-n dhe kërkoi që kompanitë që duan të funksionojnë si banka, duhet t’u nënshtrohen rregullave të Shteteve të Bashkuara dhe atyre botërore.
Ndërsa më herët, edhe kryetari i Rezervave Federale, Jerome Powell, u shpreh se planet e Facebook nuk mund të ecin përpara nëse nuk zgjidhen më parë problemet me privatësinë, pastrimin e parave, mbrojtën e konsumatorëve dhe stabilitetin financiar.
Për këtë të fundit, kompanitë pretendojnë se Libra do të jetë një valutë e qëndrueshme, që do të eliminojnë komisionet në blerje dhe do të shpërblejë përdoruesit për shikimin e reklamave. (A2 Televizion)