Linja e shpërndarjes elektrike në tokë, ngordhin 8 lopë në Mirditë, rrezikohen banorët

Nga A2 CNN
15 Qershor 2023, 18:50 | Kronikë
Linja e shpërndarjes elektrike në tokë, ngordhin 8 lopë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Lufaj të Njësisë Administrative Selitë në Mirditë. Tetë krerë lopë kanë ngordhur nga kontakti me rrymën elektrike, duke i shkaktuar një fermeri të zonës një dëm në miliona lekë.

Sipas raportimeve linja e amortizuar e shpërndarjes së rrymës elektrike në fshatin Lufaj, ishte shkëputur dhe kishte rënë në tokë, çka mund të rrezikojë edhe jetën e banorëve të zonës.

Shërbimet e komisariatit të Mirditës dhe ekspertë të sektorit të blegtorisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, për të përcaktuar shkaqet. Linjat energjetike në fshatin Lufaj, por në tërësi në gjithë Njësinë Administrative të Mirditës janë në kushte mesjetare, me tela nëpër shtylla të kalbura druri apo lidhur në pemë e bimësi.

Fermeri P.Gj, pret përfundimin e veprimeve hetimore për të kërkuar më pas kompensimin e dëmeve që janë të paktën 10 milion lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos