
Gjykata Penale ka ndryshuar ditën e sotme masën për ish-drejtuesin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Xhika akuzohet për abuzime me segmentin rrugor Elbasan-Gjinar, edhe Krimet e Rënda po zhvillojnë hetimet e tyre për ish-drejtorin e ardhur nga radhët e LSI-së në kohën e qeverisjes PS-LSI.
Hetimet kanë nisur pas një auditimi që ka bërë Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, i cili u përmbyll duke llogaritur një dëm prej rreth 54 milionë dollarësh me kontratat abuzive të aksit rrugor. Xhika, Alite dhe Qurduka, akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim.
Paralelisht, Gjykata e Elbasanit e ka lënë në burg Xhikën, së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë të rrugëve. Por duket se çështja e tij do të përfundojë te Krimet e Rënda. Sipas kallëzimit të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, dorëzuar në dhjetor të vitit të kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Xhika dhe dy ish-zyrtarët e tjerë, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë- Elbasan.
Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private. Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 dollarë. (A2 Televizion)