Londra zonë e kuqe nga e mërkura, në Spanjë vaksinimi nis në 4-5 janar

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2020, 16:47 | Bota
Londra zonë e kuqe nga e mërkura, në Spanjë vaksinimi nis

Duke filluar nga e mërkura, Londra do të kalojë në nivelin më të lartë të kufizimeve të koronavirusit. Masat e reja shtrënguese parashikojnë që kryeqyteti britanik të kalojë nga portokalli në alarmin e kuq me mbylljen e re të restoranteve, lokaleve dhe disa dyqaneve. Kufizimet do të zgjasin deri më 23 dhjetor, kur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë Londrën do të ketë një lehtësim 5-ditor të bllokimeve për shkak të Krishtlindjeve.

Sipas masave të Nivelit 3, njerëzit nuk duhet të takohen në ambiente të mbyllura shoqërore, në kopshte private, ose në ambiente të hapura publike me këdo që nuk jeton me të. Kufizimet nënkuptojnë edhe ndalimin e tifozëve në stadiume dhe vendet e tjera sportive, si edhe mbylljen e teatrove.

Në Spanjë, vaksinimi anti-covid do të fillojë në 4 ose 5 janar, pas dritës jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave", që pritet më 29 dhjetor. Kjo u njoftua nga Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa, raporton El Pais.

Testime falas anti-Covid-19 për të gjithë kanë filluar në dy qytete franceze, Le Havre dhe Charleville-Mezieres. Në portin e Normandisë, qëllimi është që të testohen 270 000 banorë në 5 ditë, të ndjekur nga Roubaix dhe Saint-Etienne. Ende nuk ka asnjë garanci për rihapjen e bareve dhe restoranteve duke filluar nga 20 janari.

"Nuk mund t'ju them me siguri se ne do të rihapim baret dhe restorantet më 20 janar. Të thuash, kjo do të thoshte të rrezikosh shumë", tha ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, i intervistuar nga Franceinfo. Sipas tij, rihapja e tyre mbetet e kushtëzuar nga evolucioni i epidemisë.

Ndërkohë, në Rusi, janë rritur rastet e koronavirusit me 27 328 në 24 orët e fundit, duke e çuar në  2 681 256 numrin total të infeksioneve, ndërsa numri i viktimave ditore ishte 450 dhe në total 47,391.

Edhe Izraeli raporton rritje të rasteve dhe viktimave. Që nga fillimi i pandemisë raportohen mbi 3 mijë viktima.

Shifrat më të larta të rasteve dhe viktimave vazhdojnë t’i kenë SHBA dhe Brazili, ndërsa rritje ditore e rasteve është regjistruar edhe në Korenë e Jugut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos