
Pas debateve në selinë blu për mbledhjen e firmave nga ish-kryeministri Sali Berisha, nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka kërkuar nga gazetarët që të numërojnë para kamerave firmat e delegatëve që kanë firmosur mbledhjen e Kuvendit kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, nismë kjo e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Në zyrën time kanë ardhur 4200 formularë. Qëllimi sot është që të ulen me durim dhe t'i numërojnë një për një këta formularë dhe kamerave do t’ju kërkoja që të dhënat personale dhe ato që më është kërkuar për të ruajtur fshehtësinë është kërkesë e firmëtarëve. Në këto formularë rikonfirmoj janë 4200 formularë. Kanë ardhur dhe të tjerë. Janë formularë të plotësuar nga delegatët e Kuvendit të PD-së dhe janë nga kryetar seksioni, sekretar, kryesia e degëve dhe anëtarë të bordit, anëtarë të këshillit kombëtar deputetë dhe këta nuk janë anëtarë të thjeshtë, por delegatë të Kuvendit siç i përcakton statuti dhe delegatët nga një kuvend në tjetrin nuk ndryshojnë. Anëtarët e Kuvendit janë po ata”.
Në një deklaratë me gazetarët, Paloka konfirmoi se janë mbledhur 4200 firma dhe theksoi se verifikimin e emrave e kryen Kuvendi i jashtëzakonshëm i PD-së.
“Verifikimin e emrave të delegatëve që e kanë firmosur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së e bën kuvendi i jashtëzakonshëm. Edhe unë nuk i njoh të gjithë delegatët. Këtë verifikim e bën komisioni i mandateve në Kuvend, ky verifikim do të bëhet edhe në këtë Kuvend që është i jashtëzakonshëm”.
Duke e përjashtuar veten si firmëtar të mbledhjes së Kuvendit kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, Paloka thotë se duhet t’i bindet vullnetit të shumicës për të mbledhur, pasi sipas tij PD-ja është në krizë.
“Nuk jam firmëtar, nuk e kam kërkuar unë këtë kuvend, por jemi të detyruar t’i bindemi shumicës jemi të detyruar të zbatojmë detyrimet e shumicës. Ne jemi në krizë dhe shumica e delegatëve kërkojnë zgjidhjen e kësaj krize. Ne jemi ndarë në palë, një andej dhe një këtej dhe unë jam në mes”. (A2 Televizion)