
Në luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës, pak vende vuajtën më shumë se Borodianka. E pushtuar nga trupat e Vladimir Putin që prej fundit të shkurtit, së fundmi e rimarrë nga ushtria ukrainase.
Raportimi nga Fred Pleitgen, gazetar i CNN
“Borodianka u kontrollua nga rusët për një kohë shumë të gjatë dhe për t’ju dhënë një panoramë të shkatërrimit këtu, janë shtëpi të tilla të rrënuara plotësisht. Por nëse shohim këtu, kemi edhe ndërtesa të mëdha të banuara që janë rrafshuar. E gjithë kjo ndërtesë është rrënuar, ishte e lidhur me këtë tjetrën, por tani nuk ka mbetur asgjë prej saj”.
Rusët u siguruan të tregonin se e zotëronin këtë qytet duke vizatuar shkronjën V në ndërtesat e pushtuara. Madje edhe në bashkinë e Borodiankës. “V” është shkronja të cilën rusët e përdorën për të identifikuar forcat e tyre që pushtuan këtë pjesë të Ukrainës. Oksana Kostychenko dhe bashkëshorti i saj sapo u kthyen këtu dhe zbuluan se ushtarët rusë kanë qëndruar në shtëpinë e tyre. Ajo thotë se i dëmtuan banesën.
“Ka alkool kudo. Shishe bosh në korridor, poshtë orendive. Tymosën shumë dhe i lanë cigaret në tavolinë”, tregon Oksana Kostychenko, banore në Borodianka.
Na treguan trupin e pajetë të një personi të gjetur në kopshtin e tyre. Duart dhe këmbët i kishte të lidhura. Djegie të tmerrshme në trupin e tij. Një gëzhojë ishte pranë viktimës. Rusia pretendon se forcat e saj nuk goditën civilët dhe i konsiderojnë raportimet për masakra false dhe provokim. Por këta njerëz që mbledhin trupat e pajetë janë ata që duhet të pastrojnë mizoritë që la pas ushtria ruse. Ata zbuluan dhe një person të vrarë teksa ecte me biçikletë, një tjetër të djegur plotësisht dhe një person të ekzekutuar në makinën e tij me një plumb në kokë dhe kraharor. Ai po transportonte furnizime mjekësore, tani të shpërndara në rrugë.
“Gjëja më e tmerrshme është se ata nuk janë ushtarë, por njerëz të pafajshëm. Të vrarë dhe torturuar pa asnjë arsye”, tregon Hennadiy Avramenko, vullnetar.
Rruga nga Kievi për në Borodianka është e mbushur me fshatra, të dëmtuara rëndë nga pushtimi i Rusisë. Tanket dhe autoblindat e shkatërruara janë lënë pas. Një tregues i luftimeve të ashpra në këtë zonë.
“Rusët thonë se ky është një operacion special, jo një luftë dhe se nuk lëndojnë civilët. Por shikoni se sa shumë municion lanë pas, vetëm në këtë pozicion qitjeje. Ky është municion për armë të rënda me pasoja shkatërruese në zona civile”, thotë Fred.
Shkatërrimi kalon përmes qyteteve dhe fshatrave në veri të Kievit, ku numri i të vdekurve vijon të rritet. Tani që ushtritë e Vladimir Putin janë tërhequr, liderët e Ukrainës besojnë se edhe më shumë trupa qëndrojnë nën rrënojë. (A2 Televizion)